Kanada

Toronto në delir - Raptors për herë të parë në finalen e NBA

  • Published in Kanada

Ditë historike për ekipin e basketbollit të Torontos, Raptors. Pas eliminimit të ekipit Bucks të Milwaukee, basketbollistët e Torontos do të takohen në finalen e NBA me Warriors të Golden State. Ndeshja e djeshme në mbremje ishte e gjashta radhazi dhe u fitua nga Raptors me rezultatin 100-94.

Ndër lojtarët ka rënë në sy Kawhi Leonard që ka shënuar 27 pikë, Pascal Siakam me 18, Kyle Lowry, i cili megjithëse i plagosur kë shënuar 17 pikë dhe Fred VanVleet me 14 pikë.

Kjo ishte ndeshja e 100-të për ekipin e Torontos në Serinë e Lindjes qysh nga pjesëmarrja për herë të parë në NBA në vitin 1995 dhe hera e parë që dalin në finale.

“Nuk kapitualluam asnjë moment, edhe kur ishim 15 pikë në dizavantazh vazhduam të gjithë të luftojmë” – ka deklaruar Kawhi Leonard pas ndeshjes, sipas të cilit, me daljen në finale Raptors e realizoi objektivin e sezonit.

Dje i gjithë qyteti i Torontos ka qenë në delir, qendra e qytetit, lokalet e mbushura plot e përplot me sportdashës që ndiqnin drejpërdrejt ndeshjen, përfshi dhe rrjetet sociale ku kanë qenë të panumërt ata që kanë shprehur entuziazmin për fitoren historike të Raptors, ndër të cilët shumë shqiptaro-kanadezë.

Ekipi i Torontos ka tani detyrën e vështirë të përballjes me ekipin e drejtuar nga Stephen Curry. Warriors arritën në këtë finale pasi eliminuan lehtësisht ekipin Trail Blazers të Portland-it në finalen e Perëndimit. Është e pesta herë radhazi që Warriors të Golden State dalin në finale, ndërsa janë kurorëzuar fitues tre herë, më 2015, 2017 dhe 2018.

Radio Canada/Flasshqip.ca