Kanada

‘Zbulimi’ i radhës i Ministrit të Diasporës Majko dhe e vërteta e dhimbshme mbi një varr shqiptari në Ottawa

  • Published in Kanada
Nga: Flasshqip.ca/Alban Rrahmani-Ottawa

Pas “zbulimit” të diasporës shqiptare (fisi Udu) në Afganistan dhe deklarimit pompoz se në Kanada jetojnë 70,000 shqiptaro-kanadezë (shifër pa kurrfarë baze zyrtare dhe në diskordancë të plotë me të dhënat e Statastics Canada), Ministri i Diasporës Majko dhe stafi i tij kanë bërë “zbulimin” e radhës duke deklaruar bujshëm në faqen zyrtare të rrjetit social Facebook Ministri i Shtetit për Diasporën lajmin se “gjenden gjurmë që dëshmojnë për praninë e shqiptarëve në Amerikën e Veriut që prej shekullit të 19-të. Në faqen “My Heritage” gjenden të dhëna për shqiptarin Sulejman Aliraj, lindur në Kaninë të Vlorës më 2 shkurt 1814 dhe ndarë nga jeta në Ottawa, Kanada në vitin 1869. Informacion plotësues jep një pllakë varri të vjetër me simbolin e shqiponjës dhe mbishkrimin “Aroft Shqipëria”.

(Foto e djeshme realizuar nga Alban Rrahmani, Ottawa)

Ky lajm rezulton të jetë krejtësisht i gabuar duke e zhvendosur të vërtetën fiks një shekull prapa. Faqja të cilës i referohet Ministri i Diasporës nuk dihet për ç’arsye i ka vendosur të dhënat gabim dhë më pas, si zakonisht lajmi është shpërndarë pa marrë as mundimin më të vogël për verifikim edhe nga disa media online në Tiranë. Nëse shumë media nuk e bëjnë verifikimin, besojmë që një strukturë shtetërore e ka këtë detyrim para se të nxitohet të bejë deklarata qesharake që edhe mund të lëndojnë njerëz që janë rritur me kujtime të hidhura.

E ka patur jo pak të tillë edhe në Kanada, janë pllakat e varreve dëshmi e pakontestueshme … janë dhjetra patriotë nacionalistë dhe emigrantë politikë të strehuar në tokën e një prej demokracive më të mëdha të botës, burra e gra të cilët regjimi gjakatar i Enver Hoxhës i ndau për së gjalli me të afërmit. Një nga këto histori të dhimbshme është edhe ajo e Sulejman Tahir Alirajt, nga Kanina e Vlorës, ndarë nga kjo jetë më 21 Maj 1969 dhe i cili prej 23 Majit të të njëjtit vit, prehet në një nga varrezat e kryeqytetit Ottawa. Madje njoftimi mortor figuron të jetë botuar po atë ditë në “The Ottawa Journal” (ekziston i digjitalizuar).

Lajmi i “bujshëm” i Ministrit Majko së pari është përgënjeshtruar përmes një komenti në faqen Facebook të këtij të fundit, nga një studente e nivelit PhD në Universitetin e Ottawa me emrin Florinda Doçi, shtetase shqiptare e cila prej vitesh jeton në Kanada dhe duket që e ka të verifikuar personalisht atë çka deklaron.

(Alban Rrahmani, dje pranë varrit të Sulejman Aliraj në Ottawa)

Botuesi i Flasshqip.ca gjithashtu e përgënjeshtroi dje këtë lajm me një koment te faqja “Majko” pas të dhënave të ofruara nga bashkëpunëtori i portalit në Ottawa, Alban Rrahmani, i cili shkoi personalisht në Pinecrest Cemetery për të marrë informacion sa më të saktë duke realizuar edhe disa foto.

Menjëherë pas komentit të mësipërm që paralajmëronte përgatitjen e një shkrimi në portalin Flasshqip.ca me këtë temë, me redaksinë tonë në Toronto hyri në kontakt përmes Messenger, nipi i të ndjerit, që mban të njëjtin emër si gjyshi i tij dhe që po ashtu ka lindur në Kaninë të Vlorës, Sulejman Aliraj, i Riu, djali i Nimet Aliraj.

Nimeti është njëri nga fëmijët e shqiptarit që emigroi në Kanada dhe vdiq në mërgim dukë lënë amanet që në pllakën e varrit të shkruhet mbi shqiponjën dykrenore “Rroft Shqipëria” jo “Aroft Shqipëria” siç kumton Majko i Diasporës. Kur babai i Nimetit, Sulejmani, u detyrua të lerë atdheun për shkak të diktaturës komuniste që pak nga pak po instalohej në fund të Luftës së Dytë Botërore, ai ishte ende në barkun e nënës së tij dhe nuk mundi ta shohë kurrë nga afër të jatin. Ajo çfarë ka vuajtur familja e tij, sigurisht një nga ato mijëra histori të dhimbshme njërëzish të persekutuar nën diktaturën komuniste (histori të cilat ende njihen pak ose aspak nga publiku i gjërë) meriton një roman më vete…

Endrra e nipit duket se është të realizojë një vizitë pranë varrin të gjyshit, i cili sipas tij ka qenë patriot e nacionalist që ka luftuar kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë e ka marrë pjesë edhe në betejën e Drashovicës në radhët e Çetës së Kaninës. Kaq mundëm të marrim dje si informacion nga Sulejmani, i Riu, i cili na dërgoi edhe dy foto, të gjyshit dhe të vetën, sëbashku me premtimin për një bisedë më të gjatë ku do të sjellë kujtimet dhe përjetimet e babait të tij Nimet Aliraj, i cili vazhdon të jetojë edhe sot e kësaj dite në Kaninë.

Alban Rahmani, bashkëpuntori i Flasshqip.ca në Ottawa, gjithashtu ka bërë disa kërkime në internet dhe ka gjetur një burim në shqip ku përmendet emri i të ndjerit Sulejman Aliraj. Në portalin “Gazeta Dibra” është botuar disa kohë më parë artikulli me titull “Si u krijua rezistenca e armatosur e mërgimtarëve shqiptarë, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës”, me autor Fatos Daci. Sipas autorit, “më 6 qershor 1949 shumë atdhetarë mërgimtarë u mblodhën në Itali e ranë dakord që të formohej një kompani luftëtarësh, e cila do të luftonte për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri dhe që do të ishte strukturë e Armatës së Parë të Rezistencës Shqiptare. Kompania e armatosur u organizua me të arratisurit politikë shqiptarë në Gjermani dhe u quajt “Kompania 4000”. Po ç’ishte “Kompania 4000” e krijuar nga anglo-amerikanët dhe e shkatërruar, sipas asaj që pohon Fatos Daci, nga agjenti i famshëm Kim Filby në shërbim të KGB ? Më tëpër mund të lexoni në linkun e artikullit: https://gazetadibra.net/si-u-krijua-rezistenca-e-armatosur-e-mergimtareve-shqiptare-per-te-rrezuar-regjimin-e-enver-hoxhes

Sipas deklarimeve të nipit të Sulejman Alirajt, gjyshi i tij pas shpërbërjes së “Kompania 4000” u vendos në Kanada, ku jetoi i vetëm derisa vdiq më 21 Maj të vitit 1969. Si ka shkuar jeta e tij këtu, kjo mbetet një pjesë për t’u hulumtuar e plotësuar me informacione që mund të disponojnë pasardhës të disa kundërshtarëve të regjimit të Enver Hoxhës që arritën të vijnë e të vendosen  gjithashtu në Kanada në vitet 1950, mes të cilëve familja mjaft e njohur Bejkosala në Ottawa.

 

(Sulejman Aliraj, i Riu)

Ky shkrim është edhe një thirrje e përsëritur në adresë të Ministrit Majko dhe stafit të tij, për të treguar më shumë kujdes në raport me verifikimin e informacioneve që shpërndahen në faqen zyrtare Ministri i Shtetit për Diasporën. Qeveria duhet të jetë shembulli i parë i profesionalizmit dhe korrektesës. Sidomos korrektesës me kujtimin e atyre që nuk jetojnë më…

Më e pakta që duhet të bëhet në rastin konkret, është që informacioni i gabuar të hiqet nga faqja Facebook duke u shoqëruar ndoshta edhe me një ndjesë publike në adresë të familjarëve të Sulejman Alirajt, që bashkëjetojnë edhe sot në Shqipëri me traumën e ndarjes së gjalli e së vdekuri me njeriun e tyre më të shtrenjtë.

Mbase po kërkojmë shumë për një vend ku ende nuk ka një ndjesë zyrtare publike në adresë të viktimave të diktaturës komuniste nga shkaktarët apo pasardhësit e tyre dhe ku në të kundërt, i bëhet paturpësisht publicitet kujtimeve të stisura të mjekut të diktatorit Hoxha… Duhet gjetur sa më shpejt ajo që shumë drejt dhe saktë e ka formuluar me dy fjalë në një shkrim të 3 viteve më parë Arben Kallamata: «kurajoja për t’u qytetëruar»! 

https://flasshqip.ca/opinione/kolumnist/265-kurajoja-per-t-u-qyteteruar 

(Pllaka e varrit të shqiptarit nga Vlora, Hair Dalipaj, Pinecrest Cemetery Ottawa)

©Flasshqip.ca