Kanada

Produktet alkoolike shqiptare dhe mundësitë e tregut kanadez (1) - Flet Alqi Karanxha, LCBO Toronto

  • Published in Kanada

 Nga Taulant Dedja

Pjesa e parë

Një përvojë pune e dy viteve të fundit më ka ndihmuar të njoh më nga afër LCBO, kompaninë shtetërore të Ontarios që tregëton dhe shpërndan produktet alkoolike në provincë. Si në shumë sektorë të jetës kanadeze, aty punojnë edhe një numër shqiptarësh, mes të cilëve menaxherë të sukssesshëm por edhe ekspertë të enologjisë me përvojë nga Shqipëria dhe ish-bashkëpunëtorë projektesh të Bashkimit Europian në këtë fushë.

Aktualisht, në LCBO vijnë produkte nga të gjitha vendet europiane dhe ballkanike, me përjashtim të atdheut tonë. Kuptohet që nuk është shumë e rëndësishme sa i madh është vendi nga pikpamja e territorit dhe popullsisë, por janë faktorë të tjerë që hyjnë në lojë. Dëshira e Flasshqip në këtë rast është të nxisë dhe inkurajojë importin në Kanada të produkteve alkoolike shqiptare, si një nga mundësitë jo vetëm për të kontribuar në rritjen e këmbimeve ekonomike midis dy vendeve, por edhe duke gjykuar se ky është një element më shumë për të promovuar në Kanada, vendin klasik të krijuar nga emigrantët, produktet dhe traditën shqiptare në këtë fushë, traditë e cila vjen që nga lashtësia.

Për ta kuptuar më mirë ketë temë, vendosëm të përgatisim një cikël shkrimesh që do të nisin së pari më një bisedë me Alqi Karanxhën. Alqi, me origjinë nga një familje korçare, në rininë e hershme të tij futbollist i talentuar e më pas mësues, djali i kirurgut të njohur Llambro Karanxha (tema e familjes Karanxha në Amerikën e Veriut meriton një shkrim më vete), pas emigrimit në Kanada e nisi karrierën në LCBO para 20 vitesh dhe falë aftësive të tij të shumëanshme, sot ushtron aty një funksion manaxherial të rëndësishëm (krahas edhe bashkëatdhetarëve tanë të tjerë). Ai është një njohës perfekt i sektorit dhe beson që ekzistojnë mundësi reale për të promovuar dhe importuar rregullisht në të ardhmen produkte alkoolike shqiptare.

Biseda e dytë, në publikimin e ardhshëm, do të vijojë me Nikolin Musabelliun, aktualisht punonjës i LCBO, diplomuar pranë Universitetit të Viterbos (Itali) për Vreshtari dhe Shkenca vere, Master në Mbrojte bimësh dhe Enologji. Lektor pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës i lëndës Enologji (Fakulteti i Ushqimit dhe Bioteknologjisë, Departmenti i Bioteknologjisë) si dhe për vite me radhë konsulent pranë projekteve të Bashkimit Europian dhe organizatave të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.

Siç u përmend në hyrje, The Liquor Control Board of Ontario (LCBO) është një korporatë shtetërore që tregëton dhe shpërndan pijet alkoolike në provincën kanadeze të Ontarios ku ndodhet dhe metropoli ekonomik i Kanadasë, Toronto. LCBO raporton tek Ministria e Financave në Ontario dhe drejtohet nga George Soleas (President & CEO).

Sipas bisedës me Alqin, mësojmë që korporata është themeluar në vitin 1927 për shitjen e pijeve të distiluara, verës dhe birrës. Duhet theksuar fakti që shitja e pijeve alkoolike në Ontario ka qenë e ndaluar që në vitin 1916, kështu që krijimi i LCBO mundësoi shitblerjen e alkoolit në provincë.

“Aktualisht LCBO ka rreth 650 dyqane në të gjithë provincën dhe ka një shitje totale prej më shumë se 6 miliardë dollarë. LCBO është një monopol qeveritar në provincën më të populluar të Kanadasë, Ontario. 13 milion banorë ose 40% e popullsisë totale të Kanadasë. LCBO është blerësi më i madh i pijeve alkoolike në botë. Restorantet dhe baret, në bazë të ligjit duhet të blejnë pijet alkoolike përmes LCBO” – pohon Alqi Karanxha.

Pozicioni i tij aktualisht është General Manager i Qendrës së Shërbimit në Toronto. Ai drejton një ekip inovator të hallkës logjistike, i cili u shërben me një kosto efektive klientëve të brendshëm dhe të jashtëm. Funksioni i tij përgjigjet edhe për aktivitetin e Departamentit të Shërbimeve të Veçanta, departament i cili mundëson blerjen në mënyrë virtuale të çdo produkti në botë. Kjo njësi shërbimi sjell rreth 15,000 produkte të reja në vit nga më shumë se 60 shtete të ndryshme. Nëse do flisnim për produkte shqiptare, aktualisht ekziston një sasi fare e vogël vere e prodhuar në Rahovec dhe e importuar nga Kosova. Ky departament gjithashtu mundëson importin e birrave që vijnë në formatin keg në Ontario.

Si General Manager i qendrës në Toronto, Alqi është gjithashtu pergjegjës për Departamentin e verërave speciale, shitjeve nga web (online) dhe produkteve të katalogut. Buxheti vjetor që menaxhon është rreth 10 milion dollarë ndërsa ekipi i tij multikulturor përbëhet nga rreth 100 punonjës.

Flasshqip: LCBO importon produkte alkoolike nga shumë vende të botës, por le të përqëndrohemi tek Europa. Si shpjegohet fakti që produktet shqiptare alkoolike nuk kanë hyrë në tregun e Ontarios apo më gjerë në atë kanadez, ndërkohë që të tilla gjenden nga të gjithë vendet e Europës, pa përjashtim?

Alqi Karanxha: Ka patur disa përpjekje vullnetmira për importimin e produkteve shqiptare. Janë sjellë në sasi të vogla para disa vitesh konjaku ‘Extra’ i Korçës dhe një verë, prodhim i një kantine nga Berati. Së fundi ka patur edhe një tenativë për të sjellë birrën ‘Korça’, por pa sukses. Kjo për faktin se bizneset shqiptare deri tani nuk duken shumë të hapura ndaj idesë për të promovuar produktet e tyre në Ontario e më gjerë. Gjithashtu, duhet theksuar që rregullat në Ontario nuk janë në përputhje me kulturën e tregut të lirë dhe sasia e produktit që LCBO do të blejë varet së pari nga faktorë të tillë si kërkesa dhe cilësia e produktit. Së dyti, çmimet janë të vendosura në bazë të një çmimi dysheme dhe si i tillë, produkti konkuron me çmimet e tregut. Ndoshta, por nuk jam i sigurt, dikush mund të mendojë se mungon dëshira apo edhe pak pasioni atdhetar, e kushtëzuar kjo edhe nga fakti që Kanadaja është shumë larg nga Shqipëria. Në këtë rast, nuk duhet harruar që produktet alkoolike nga vendet e tjera të Ballkanit janë në mënyrë konstante në tregun kanadez dhe kjo e rrëzon argumentin e largësisë. Nga ana tjetër, fakti që produktet alkoolike shqiptare eksportohen në vendet e Bashkimit Europian, por edhe në USA, me sa di unë, është argument në favor të cilësisë së produkteve shqiptare të cilat nuk ka arsye teknike, mendoj unë, të mos jenë të konkurueshme edhe këtu.

Flasshqip: Si mund të realizohet pra teknikisht importimi i produkteve alkoolike shqiptare përmes LCBO?

Alqi Karanxha: Importimi i produkteve alkolike është i thjeshtë, në qoftë se ka kërkesë nga tregu kanadez, nga restorante, bare apo edhe individë privatisht. Është vështirë që një produkt që nuk ka histori shitjeje të aprovohet menjëherë për t’u listuar në dyqanet e LCBO, megjithatë, nëpërmjet Departamentit të Shërbimeve Speciale, është i mundur importimi, për sa kohë ka interes këtu dhe për sa kohë pronarët e kantinave të verërave apo të fabrikave të birrave në Shqipëri kanë dëshirë të eksportojnë produktet e tyre dhe të depërtojnë edhe në tregun kanadez, njëlloj si produktet nga vendet e tjera të Ballkanit apo gjithë Europës. Unë mund të pohoj dhe madje e kam bindje që do të ketë interes për pijet alkoolike shqiptare nga komuniteti, sidomos për festa tradicionale, dasma apo gëzime familjare e aktivitete festive. Pra, siç e thashë dhe më lart, duhet të ketë kërkesë nga tregu dhe mbi të gjitha vullnet e dëshirë të mirë nga Shqipëria.

Flasshqip: Cilat do të ishin këshillat e tua për një sipërmarrës shqiptar që do të vendoste të investohet në sjelljen e produkteve alkoolike shqiptare në Ontario?

Alqi Karanxha: Të fillojë sa më parë me seriozitet dhe pasion! Mundësitë janë reale dhe shumë të mira. Ekspertiza shqiptare për të ndihmuar me këshilla dhe informacion është prezente këtu dhe duhet vlerësuar si një oportunitet lehtësues.

Flasshqip: A e gjykon të domosdoshëm kontributin e institucioneve shtetërore shqiptare në këtë drejtim? A e sheh të mundur dhe me vend një veprimtari promovuese nën kujdesin dhe me mbështetjen e Ambasadave Shqiptare në Ottawa në bashkëpunim me LCBO?

Alqi Karanxha: Në radhë të parë në bashkëpunim me plot biznesmenë shqiptarë të suksesshëm në Toronto e më gjerë, unë do t’u sugjeroja ambasadorëve shqiptarë në Kanada (të cilët janë më shumë se të mirëpritur në çdo kohë të komunikojnë me LCBO dhe me mua personalisht) organizimin e një “tasting-panair” me produkte shqiptare. Veprimtari të tilla ka shumë në Toronto dhe ato organizohen në mënyrë të përvitshme nga agjenci qeveritare sidomos nga Europa perëndimore. Këtu, të mos harrojmë, ka edhe restorante me pronarë shqiptarë dhe një restorant është gjithashtu një mjedis i përshtatshëm për një event të këtij karakteri. Duke e falenderuar FlasShqip që sugjeroi realizimin e këtij komunikimi, do ta vlerësoja këtë media të re për përkushtimin dhe pasionin që ka për pasqyrimin e jetës së komunitetit shqiptar në Kanada dhe për dëshirën fisnike që traditat dhe zakonet e mrekullueshme shqiptare të jenë prezente në çdo tryezë të familjeve tona këtu, jo vetëm me ndjenjë, por dhe me produkte materiale.

(Veprimtari promocionale e produkteve nga Maqedonia e Veriut, Toronto)

©Flasshqip.ca