Kanada

Julie Dabrusin, deputetja që drejton grupin e miqësisë Kanada-Shqipëri

  • Published in Kanada
Nga: Taulant Dedja

Deputetja Julie Dabrusin garon sërish për Liberalët në zonën e Danforth, Toronto, ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit shqiptar. Ajo mbahet mend nga shqiptarët e Torontos më tepër për faktin se vitin e kaluar, më 28 Nëntor, foli shqip në parlamentin kanadez duke përshëndetur zgjedhësit e saj shqiptarë për Festën Kombëtare. Çfarë di zonja Dabrusin për Shqipërinë? Cilat janë qëndrimet e saj për marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve? Çfarë mendojnë liberalët për politikat e emigrimit dhe a kanë patur apo do të kenë ndonjë përfitim konkret shqiptarët si komunitet nga lobimi i deputetëve kanadezë?  Të gjitha këto në intervistën me Julie Dabrusin e cila drejton edhe grupin palamentar të miqësise Kanada-Shqipëri në Dhomën e Komunave.

T.D: Pas shpinës tuaj po shoh bustin e Nënë Terezës, çfarë përfaqëson për ju?

Julie Dabrusin: Është një dhuratë nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Toronto, është një dhuratë e cila përfaqëson miqësinë mes dy popujve, shqiptarëve dhe kanadezëve.

T.D: Pas 31 vitesh marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve më në fund është nënshkruar një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore, që prek shumicën e emigrantëve shqiptarë në Kanada. Cili ishte roli juaj në arritjen e kësaj marrëveshje e cila prej vitesh priste të nënshkruhej?

Julie Dabrusin: Unë kontribuova për të gjetur një datë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Pjesa tjetër i takon ministres së Jashtme Christia Freeland, e cila ka bashkëpunuar me përfaqësinë diplomatike shqiptare për të arritur konkludimin e marrëveshjes.

T.D: Ndërkohë ju jeni pjesë e grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Kanada në parlamentin kanadez, mes të cilëve edhe deputeti tepër aktiv i zonës së Beaches-East York, Nathaniel Erskin-Smith. Cili është qëllimi i këtij grupi?

Julie Dabrusin: Qëllimi është që kanadezët të kenë një njohje më të mirë të Shqipërisë dhe komunitetin shqiptar në Kanada. Pra të thellojmë miqësinë mes dy vendeve dhe komuniteteve. Por ka edhe fusha të tjera ku mund të kontribuohet siç është fusha ekonomisë dhe ajo e turizmit. Dhe tashmë kemi një grup deputetësh që kontribuojnë në këtë drejtim dhe mund të analizojnë çështjet në të cilat mund arrihet progres mes dy vendeve.

T.D: Meqënëse përmendët ekonominë, nëse konsultojmë të dhënat zyrtare nga qeveria kanadeze, në fund të vitit 2013 është përfunduar negocimi për Marrëveshjen e mbrojtjes së investimeve. Nga ai moment, marrëveshja nuk është finalizuar me nënshkrim. Çfarë ka ndodhur?

Julie Dabrusin: Nuk kam shumë informacion për këtë çështje, por mund të fokusohemi në të ardhmen. Natyrisht do të informohem më shumë dhe do të bëj diçka në këtë drejtim. Prandaj edhe ne po punojmë më nga afër me përfaqësinë shqiptare.

T.D: Gjithashtu, prej disa vitesh nuk ka patur shkëmbime të vizitave zyrtare mes përfaqësuesve të lartë mes dy vendeve. Cili është komenti juaj?

Julie Dabrusin: Natyrisht duhet të bëjmë më shumë edhe në këtë aspekt.

T.D: Si jeni njohur me komunitetin shqiptar?

Julie Dabrusin: Në zonën time elektorale ka një komunitet shqiptar relativisht në numër të konsiderueshëm dhe rastësisht në zyrën time punojnë dy persona me origjinë shqiptare. Jam e lumtur që i kam në zyrë dhe që punojnë me mua.

T.D: Ju folët në parlament dhe përshëndetët në gjuhën shqipe në Festën Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë. Çfarë dini për historinë e vendit tonë?

Julie Dabrusin: Nisur nga fakti që kam zgjedhës shqiptarë vendosa të flas për komunitetin në atë ditë të shënuar. Ishte ditë e bukur dita kur fola në parlament për Shqipërinë. Ishte dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Dhe nuk e dija që isha e para që bëra një deklaratë të tillë publike. Më dha kënaqësi. Unë kam marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera të organizuara nga shoqatat shqiptare. Jam takuar me artistë shqiptarë. Njoh historinë e Shqipërisë dhe di që shqiptarët kanë mbrojtuar komunitetin hebre gjatë luftës së dytë botërore. Kam dëgjuar edhe për Bebe Rexhën (qesh) … Kam kuptuar që shqiptarët janë të gjallë dhe aktivë në Kanada. Kanadaja është vend i diversitetit dhe ka shumë komunitete. Kjo është pasuria e Kanadasë prandaj unë e dua këtë vend se ka komunitete nga gjithë bota.

T.D: Çfarë premtojnë liberalët në këto zgjedhje në fushën e emigracionit?

Julie Dabrusin: Kjo është një temë e ndjeshme për komunitetin dhe unë dua të ndalem në gjërat që kemi bërë për emigracionin. Kemi bërë maksimumin për bashkimin e familjeve, kemi reduktuar kohëzgjatjen e procesit. Kemi thjeshtuar procesin e njohjes së kompetencave të specialistëve që vijnë nga jashtë Kanadasë.

T.D: Jeni në dijeni që Ambasade Kanadeze në Romë që mbulon Shqipërinë, nuk ka asnjë përfaqësues diplomat në Tiranë ? Të interesuarit duhet të shkojnë në Romë edhe për një vulë në dokumentet e tyre dhe zyra kanadeze e Tiranës shërben vetem si qendër postare…

Di që në Romë gjërat shkojnë shumë mirë, sa i takon afateve por do informohem edhe për këtë pjesë.

 ©Flasshqip