Një ‘lexim’ i shpejtë i zgjedhjeve kanadeze të 21 Tetorit 2019
- Published in Kanada

1. Pjesmarrja në zgjedhje arriti rreth 66,2%, pra 2,2% më e ulët se viti 2015.
2. Më shumë se 27 milion kanadezë u ftuan të ushtrojnë të drejtën e votes dhe 4,7 milion syresh kanë votuar paraprakisht nga 11 deri më 14 Tetor (30,5% më shumë se në 2015). Numri total i qytetarëve që votuan ishte rreth 17,8 milion.
3. Është hera e parë në historinë e Kanadasë që një qeveri mazhoritare pas mandatit të parë rezulton qeveri në minorance. Një vështrim mbi ngjyrat e hartës së Kanadasë pas zgjedhjeve të krijon përshtypjen që vendi është i ndarë politikisht.
4. Konservatorët kanë fituar votën popullore me rreth 34,4% (gati 250.000 vota më shumë) por nuk kanë siguruar vende mjaftueshëm për të qenë partia e parë. Ata kanë marrë 22 deputetë më shumë se në vitin 2015 në një total prej 121 deputetësh.
5. Lideri konservator, kryetar i Conservative Party of Canada prej 27 Maj 2017, 40 vjeçari Andrew Scheer i cili mbante deri në vitin 2017 edhe shtetësinë amerikane (nga babai) përveç asaj kanadeze, është rizgjedhur deputet për të gjashtën herë radhazi në zonën e tij elektorale Regina-Qu’Appelle në Saskatchewan.
6. Liberalët, edhe pse me 33,1% të votës popullore kane arritur të jenë partia e parë me 157 vende dhe do të qeverisin në minorancë. Liberalët kanë marrë 27 deputetë më pak se në vitin 2015 dhe kanë humbur më shumë se 1 milion votues.
7. Kryeministri 47 vjeçar Justin Trudeau u rizgjodh deputet për të katërtën herë radhazi në zonën e tij elektorale Papineau në Montréal.
8. Ish-Ministrja Liberale, Jody Wilson-Raybould, e cila dha dorëheqjen pas skandalit SNC-Lavalin për shkak të presioneve që kish patur nga Trudeau kur drejtonte Ministrine e Drejtësisë, ka arritur të rizgjidhet si e pavarur në zonën e saj Vancouver Granville. Ajo do të jetë e vetmja deputete e pavarur në Dhomën e Komunave. Rasti i fundit që ka fituar një kandidat i pavarur duke sfiduar partinë, është ai i ish-Konservatorit Bill Casey në vitin 2008 në Nova-Scotia.
9. Blloku i Québec, i drejtuar nga Yves François Blanchette, është rikthyer fuqishëm në skenën politike federale duke rimarrë statusin e partisë parlamentare zyrtare. Nga 10 deputetë në vitin 2015 BQ arriti të marrë 32 në zgjedhjet e djeshme, pra plot 22 më shumë duke rifituar në zona që deri tani kontrolloheshin kryesisht nga Neodemokratët
10. Neodemokratët e Jagmeet Singh pësuar disfatë duke humbur 20 deputetë nga 44 që kishin në zgjedhjet e 2015 dhe arritën të fitojnë vetëm në 24 zona elektorale. 14 zona i humbën në provincën e Québec-ut. Jagmeet Singh në një farë mënyre ka kontribuar me të dyja duart në disfatën e partisë së tij kur ka përmendur në fushatë koalicionin e mundshëm me Liberalët. Me sa duket e ashtuquajtura “votë strategjike” (votues të NDP kanë preferuar të mbështesin Liberalët për të penguar një mazhorancë Konservatore ose qeveri Konservatore në minorancë) i ka penalizuar Neodemokratët sidomos në Toronto dhe Greater Toronto Area. Ndihmë për Liberalët e Trudeau në këtë rajon sigurisht ka qenë edhe efekti negativ Doug Ford.
11. Partia e Gjelbër e Elizabeth May ka fituar 3 vende, dy më shumë se në zgjedhjet e vitit 2015. Elizabeth May është rizgjedhur në zonën e saj Sanich Gulf Island në Kolumbinë Britanike
12. Maxime Bernier, kreu i Partisë Popullore Kanadeze nuk arriti të rizgjidhet në zonën e tij elektorale Beauce në Québec.
13. Kryetarja e grupit parlamentar të miqësisë Kanada-Shqipëri, deputetja liberale Julie Dabrusin, është rizgjedhur në zonën e saj Danforth-Toronto me 47,7% të votave.
14. Kryeministri Justin Trudeau ka deklaruar se do të punojë fort për të bashkuar sërish kanadezët, por fjalimi i tij i fitores nga shumica e komentatorëve është konsideruar më shumë fjalim fushate sesa fjalim përbashkues.
15. Lideri i opozitës konservatore Andrew Scheer pasi e ka uruar për fitoren kryeministrin, ka deklaruar që Partia Konservatore do jetë e gatshme të marrë në dorë qeverisjen kur qeveria në minorancë e Trudeau të bjerë nga pushteti, duke lënë të parashikohet që kjo legjislaturë mund të jetë më e shkurtër se 4 vjet.
Burimi i të dhënave dhe photo credit CBC News
©Flasshqip.ca