Kanada

Qeveria Kanadeze nis akordimin e ndihmave për fatkeqësinë e shkaktuar nga tërmeti në Shqipëri

  • Published in Kanada

Development Canada, dikasteri i qeverisë kanadeze që mbulon programet sociale, sapo ka njoftuar akordimin e një fondi fillestar ndihme në favor të zonave më të prekura nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 Nëntor.

Fondi i akorduar është në shumën e 135.000 dollarëve dhe është derdhur në llogarinë e Kryqit të Kuq Kanadez që do të jetë me sa duket sipas informacioneve edhe institucioni përgjegjës për administrimin e gjithe donacioneve që do të vazhdojnë të mblidhen në ditët e ardhshme.

Më herët gjatë paradites, Ambasadori i Shqipërisë në Ottawa Ermal Muça, ka pritur në selinë e ambasadës dhe ka zhvilluar takim me z. David Sproule, Drejtor i Përgjithshëm për Evropën, Evroazinë dhe Çështjet Polare në “Global Affaires Canada”. Sproule, diplomat me karrierë të gjatë, para se të emërohej në detyrën aktuale ka ushtruar funksionet e Ambasadorit të Kanadasë në 5 shtete të ndryshme.

Në takim përfaqësuesi i lartë i Diplomacisë Kanadeze ka shprehur gadishmërine e Qeverisë së tij për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë dhe zonave më të dëmtuara nga tërmeti. Ambasadori Muça gjithashtu ka takuar gjatë ditës së sotme edhe Norah Eggleston, drejtuesen e Fondeve të Emergjencës dhe Mjeteve të Shpëtimit pranë Divizioni të Operacioneve Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq Kanadez, institucioni që do të koordinoje ndihmën kanadeze në favor të Shqipërise.

Në një komunikim me Flasshqip, Ambasadori Muça ka vënë në dukje “predispozicionin e palës kanadeze që në momentet e para, gatishmërinë për komunikim të vazhdueshëm e në çdo kohë me përfaqësinë për të kuptuar më mirë nevojat në Shqipëri si edhe solidaritetin dhe angazhimin për të kontribuar dhe mbështetur financiarisht, krahas ndihmave të tjera humanitare, për tejkalimin e kësaj situate të vështirë shkaktuar nga tërmeti i ditëve të fundit në vendin tone”. Ai ka shprehur gjithashtu falenderime për angazhimin e saj, në adresë te deputetes së Toronto-Danforth, Julie Dabrusin, njëherazi edhe kryetare e Grupit parlamentar të miqësisë Kanada-Shqipëri, po kështu edhe në adresë të dy deputetëve federalë Sven Spengeman dhe Michael Levit.

Për Ambasadorin shqiptar, “mirënjohje e veçantë i takon diasporës shqiptare në Kanada, organizatave të diasporës nga bregu në breg dhe mediave shqiptar-kanadeze, që janë mobilizuar në të gjitha format për të sensibilizuar dhe ndihmuar Atdheun tonë të dashur në këto momente të vështira”!

Vlen të theksohet që angazhimi i komunitetit shqiptar në Kanada këto ditë ka qenë i jashtëzakonshëm. Shoqata dhe drejtues shoqatash, në të gjitha provincat ku jetojnë shqiptarë, ambasadorë të kombit, komunitete fetare dhe individë, Rrjeti Shqiptaro-Kanadez i Bizneseve, Shoqata Arkivi Digjital Elbasan, kompani me pronarë shqiptarë ndër të cilat veçohet IBX, individë të njohur për kontributin e tyre filantropik, anëtarët e Këshillit Koordinativ të Diasporës Bejko dhe Radovicka, janë angazhuar për mbledhje kontributesh financiare dhe ndihmash të formave të ndryshme. Në ditët në vazhdim informacioni do vazhdojë të përditësohet.

©Flasshqip.ca