Kanada

Irani mohon zyrtarisht goditjen e avionit me raketë

  • Published in Kanada

Sipas informacioneve të fundit nga CNN, një zëdhënës i qeverisë iraniane ka deklaruar se raportet amerikane sipas të cilave avioni i rrëzuar pranë Teheranit të mërkurën është goditur me raketë janë "një gënjeshtër e madhe".

Zëdhënësi, Ali Rabiei, akuzoi Shtetet e Bashkuara për përhapjen e dezinformatave për përplasjen, ku u vranë gjithsej 176 personat në bord.

"Askush nuk do të marrë përgjegjësinë për një gënjeshtër kaq të madhe pasi dihet se deklarata është mashtrim," tha Rabiei në një deklaratë, sipas Press TV- bën me dije CNN.

"Është për të ardhur keq që operacionet psikologjike të qeverisë amerikane, dhe atyre që e mbështesin atë me vetëdije dhe pa u menduar, janë duke i shtuar lëndimit të familjareve edhe fyerjen dhe duke i viktimizuar ato për qëllime të caktuara duke përhapur gabime të tilla."

Avioni, një Boeing 737-800, ishte drejtuar për në Kiev kur u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti Imam Khomeini në kryeqytetin iranian. Viktimat përfshijnë 82 iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainas, 10 suedezë, katër afganë, tre gjermanë dhe tre shtetas britanikë.

Sipas raporteve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj mes të cilëve Kanadaja dhe Britania e Madhe të bëra publike të enjten, thuhej se avioni mund të ishte qëlluar me raketë.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe ai britanik Boris Johnson thanë të enjten se shërbimet inteligjente treguan se avioni tregtar ishte rrëzuar. Të dy udhëheqësit deklaruan se mund të ketë qenë pa qëllim dhe bënë thirrje për një hetim.

Një zyrtar amerikan u shpreh që aeroplani u qëllua nga dy raketa SA-15 të prodhuara nga Rusia. Një video e dërguar në CNN duket se tregon një raketë të lëshuar në qiellin e Teheranit herët në mëngjes të mërkurën duke goditur një objekt në qiell.

Ali Abedzadeh, kreu i Organizatës së Aviacionit Civil Iranian, tha se kutitë e zeza të aeroplanit - të cilat mund të përmbajnë të dhëna që do të ndihmonin hetuesit të zbulonin se çfarë shkaktoi përplasjen - janë dëmtuar, kështu që Teherani mund të ketë nevojë për ndihmë për deshifrimin e tyre.

Nga burime iraniane pohohet se ka dëshmitarë që e kanë parë avionin të marrë flakë. Dëshmitarë që e kanë parë nga toka, por edhe dëshmitarë nga brenda një avioni tjetër që fluturonte mbi Boeing 737-800 ukrainas që u rrëzua pranë Teheranit fare pak minuta pas shkëputjes nga pista e Aeroportit Ndërkombëtar Imam Khomeini. Të dhënat i referohen një raporti paraprak hetimi nga ana e autoriteteve të Aviacionit Civil Iranian (sipas Radio Canada).

Rrëzimi i avionit, shkaku i të cilit sipas mediave iraniane fillimisht iu atribua problemeve mekanike, ndodhi disa orë pasi Irani gjuajti me raketa në dy baza irakene që strehonin trupat amerikane në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Qasem Soleimani, i cili ishte një nga drejtuesit ushtarakë më të fuqishëm dhe me ndikim në Iran.

Shkëmbimi i sulmeve midis Teheranit dhe Washington-it, të dyja në territorin e Irakut, shënoi një përshkallëzim dramatik të tensioneve dhe ngjalli frikën e një lufte tjetër në Lindjen e Mesme.

 

Burimi: CNN.com dhe Ici.Radio-Canada.ca