Kanada

Pas mohimit total një ditë më parë, Irani pranon përgjegjësinë për rrëzimin aksidentalisht  të avionit ukrainas

  • Published in Kanada

Përmbysje totale e deklaratave zyrtare iraniane në harkun e 24 orëve. Pranohet më në fund që avioni Boeing 737-800 me destinacion Kievin dhe që i përkiste Ukranian International Airlines, i rrëzuar pak minuta pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini i Teheranit, është goditur aksidentalisht me një raketë tokë-ajër. Në bord ndodheshin 176 persona të cilët humbën të gjithë jetën, mes të cilëve 57 irano-kanadezë.

Sipas televizionit shtetëror iranian, avioni është ndodhur pas ngritjes pranë një zonë ushtarake tepër të veçantë (e konsideruar si zonë e sigurisë së lartë) dhe është goditur si pasojë e një gabimi njerëzor. Deri në momentin e dhënies së këtij njoftimi, autoritetet iraniane kishin mohuar totalisht që avioni më numër fluturimi PS752 të ishte goditur me raketë. 

Komunikata e publikuar nga televizioni iranian i takonte Ushtrisë Iraniane e cila nga ana e saj, ka pohuar që personat përgjegjës do të gjykohen nga një gjykatë ushtarake dhe njëkohësisht iu ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave.

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Javad Zarif, menjëherë pas publikimit të komunikatës zyrtare të ushtrisë, ka deklaruar në Twitter që aksidenti tragjik erdhi si rezultat i një gabimi njerëzor dhe për shkak të një krize të shkaktuar nga aventurizmi i SHBA.

Radio Canada/Flasshqip.ca