Trudeau: Do ti shkojmë deri në fund të vërtetës për avionin e shkatërruar nga Irani
- Published in Kanada
Në konferencën e tij të tretë për shtyp lidhur me ngjarjen, Kryeministri kanadez Justin Trudeau e ka konsideruar si hap të rëndësishëm faktin që Irani pranoi që ka goditur me raketë avionin civil ukrainas. Në të njëjtën kohë ka deklaruar me vendosmëri që Teherani duhet të mundësojë një hetim të plotë mbi rrethanat që shkaktuan tragjedinë ku humbën jetën edhe 57 shtetas kanadezë.
Trudeau ka realizuar gjatë ditës së sotme edhe një bisedë telefonike me Presidentin e Iranit, Hassan Rouhani, i cili mësohet se i ka premtuar që hetimet do zhvillohen të plota, por kreu i qeverisë kanadeze ka pohuar që Kanadaja do të insistojë për ti shkuar deri në fund të vërtetës dhe për të mësuar nëse ka qenë një gabim njerëzor apo një akt i qëllimshëm. Kryeministri ka ripërsëritur se ndihet thellësisht i tronditur por edhe i revoltuar në kulm nga kjo tragjedi kombëtarë për të cilën Irani mban përgjegjësi të plotë dhe nuk e ka mohuar mundësinë që qeveria kanadeze t’u kërkojë kompensim autoriteteve iraniane.
(Presidenti iranian Hassan Rouhani)
Ndërkohe, mësohet që deri tani, Teherani ka akorduar tre viza hyrje për ekspertë kanadezë që do ti bashkohen ekipeve që po hetojnë.
Reagime ka patur edhe nga opozita konservatore e cila i ka bërë thirrje qeverisë së Kryeministrit Trudeau të kërkojë me forcë që përgjegjësit për këtë tragjedi të tmerrshme të japin llogari para drejtësisë si dhe të ndërmarrë sanksione shtesë ndaj Iranit.
Konservatorët i propozojnë qeverisë miratimin e një mocioni ku të deklarohet si organizatë terroriste Garda e Revolucionit Islamik, të kërkohet kompensim financiar nga Irani për çdo viktimë kanadeze si dhe të parashikohet aplikim sanksionesh ekonomike nëse Irani refuzon të bashkëpunojë në kuadrin e një hetimi ndërkombëtar mbi katastrofën.
Nga ana e tij, Kryeministri Trudeau do të shkojë nesër në Edmonton të Alberta-s, për të marrë pjesë në një ceremoni homazhi përkujtimor në respekt të 31 viktimave të tragjedisë të cilat jetonin në këtë provincë. Parashikohet që Trudeau të mbajë aty edhe një fjalim të shkurtër.
Radio Canada/Flasshqip.ca