Kanada

Jean Charest, “Kapiteni i Kanadasë” - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada
Nga: Taulant Dedja

Taulant Dedja

A do të jetë Jean Charest lideri i ardhshëm i konservatorëve kanadezë dhe kryeministri i ardhshëm i Kanadasë? Për ata që nuk e njohin, personi në foto quhet Jean Charest, avokat me profesion dhe politikan me origjinë nga Quebéc. Ka lindur në Sherbrook më 24 Qershor 1958. Tre herë kryeministër i «La Belle Province», deputet federal në moshën 26 vjeçare, ai mbahet mend si ministri më i ri në moshë në historinë e Parlamentit kanadez. Kur ishte vetëm 28 vjeç u emërua Ministër Shteti për Rininë në kabinetin e Kryeministrit Brian Mulroney. Charest ka ushtruar dhe funksione të tjera ministrore në nivel federal (ndër të tjera edhe në dikasterin e Ambientit) madje për pak kohë edhe atë të zëvendëskryeministrit.

Në vitin 1993, viti më i vështirë në historinë politike të Partisë Konservatore Kanadeze, që në zgjedhjet e atëhershme siguroi vetëm dy deputetë (njëri nga të cilët ishte Jean Charest) ai u caktua kryetar par Interim i konservatorëve funksion të cilin e kreu deri më 1998. Me bindje të patundura federaliste, ai u bë gjithashtu shumë i njohur më 1995 në Québec, si një ndër drejtuesit kryesorë të strukturës që kundërshtoi shkëputjen e provincës frankofone nga Kanadaja gjatë referendumit. Në atë kohë ai u mbiquajt «Kapiteni i Kanadasë» dhe kujtohet për fjalimet e tij pasionante duke mbajtur dhe tundur pasaportën kanadeze në dorë në takimet e fushatës në favor të «JO»-së.

Ai largohet nga skena federale politike në vitin 1998 për të marrë drejtimin e Partisë Liberale të Québec-ut dhe u zgjodh tre herë kryeministër. Dorëhiqet nga politika aktive pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2003. Pas dorëheqjes i rikthehet profesionit të tij si avokat pranë Zyrës McCarthy Tétrault në Montréal. Në Nëntor 2013 caktohet President i “Këshillit të Guvernatorëve të Idesë Federale”, një grup refleksioni mbi federalizmin kanadez i themeluar nga André Pratte.

Jean Charest është i martuar me Michèle Dionne, ortopedagoge dhe aktiviste vullnetare e Kryqit të Kuq Kanadez. Ata janë prindër të tre femijëve.

Nga një oqean në tjetrin ai vlerësohet si një ndër politikanët më të talentuar kanadezë të brezit të tij. Me një kujtesë fantastike, orator i mrekullueshëm, ai zotëron një sharm të veçantë dhe aftësi të spikatura për të krijuar lidhje të forta me njerëzit. Këto janë me pak fjalë të përmbledhura konsideratat rreth tij nëse konsulton artikujt në mediat online.

Pas dorëheqjes së liderit konservator Andrew Scheer, emri i Charest po lakohet gjithnjë e më tepër si kandidatura më e kompletuar për të marrë drejtimin e Partisë Konservatore. Ai vetë personalisht nuk e ka mohuar interesimin ndaj kësaj mundësie për t’u rikthyer në skenën politike dhe madje shumë emra të njohur në krahun konservator janë shprehur se do ta përkrahin. Ndër komentet, veçohet rezerva që ka një pjesë, nëse Jean Charest do jetë në gjendje të bindë militantët e perëndimit kanadez. Të gjitha pikpyetjet pritet të marrin përgjigje në javët në vazhdim.

Duke e njohur nga afër politikën kanadeze prej më shumë se dymbëdhjetë vjetësh, përfshi dhe atë të Québec-ut, nuk hezitoj të them se kur e kam njohur historinë e karrierës politike të Jean Charest, por edhe duke ndjekur atë drejtpërdrejt gjatë viteve si kryeministër, e kam vlerësuar gjithmonë si një politikan potencialisht një ditë kandidat për kryeministër i Kanadasë. Në vlerësimin tim, duke krahasuar emrat e lakuar deri tani, gjykoj se Jean Charest është më i kompletuari. Ai, falë aftësive të rralla që zotëron, nëse rrethanat gjithashtu do jenë në favor të tij, mund të jetë lideri më i përshtatshëm dhe përbashkues që do t’i drejtojë konservatorët drejt rikthimit në mazhorancë. Le të shohim vazhdimin…

©Flasshqip.ca