Kanada

Vancouver - Maestro Bujar Llapaj, koncert bamirësie në ndihmë të vendlindjes

  • Published in Kanada

Të shtunën e kaluar, 25 Janar 2020, në Grace Curch në Vancouver të provincës British Columbia, West Coast Simphony Orchestra Chamber Ensemble zhvilloi koncertin vjetor të bamirësisë në ndihmë të muzikantëve të vegjël në Njësinë Administrative Antigone të Bashkisë Gjirokastër.

Merita për këtë nismë, që daton nga viti 2012, i takon dirigjentit të mirënjohur shqiptar Bujar Llapaj, i cili prej shumë vitesh është zhvendosur sëbashku me familjen në metropolin kanadez të Pacifikut, ku aktualisht është në rolin e kryedirigjentit të orkestrës së lartpërmendur.

Maestro gjatë gjithë ketyre viteve ka qënë një profesionist shumë i suksesshëm i nivelit të lartë dhe një ndër përfaqësuesit më të denjë të traditës artistike shqiptare në Kanada, Europë dhe në Ballkan. Ai gjithashtu ka spikatur me personalitetin e tij edhe si intelektual i angazhuar. Pa reshtur asnjë çast, si pakkush, ka shprehur mendimet e veta të sinqerta plot atdhedashuri e me shumë kurajo për çdo situatë të vështirë që ka kaluar Shqipëria në gjithë vitet e tranzicionit, për krizën politike aktuale e ngjarje apo kauza madhore si ajo për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

West Coast Symphony Orchestra është e vetmja orkestër kanadeze që ka zhvilluar turne koncertesh në trojet shqiptare në Ballkan. Në turneun e parë në Shqipëri, më 2012, prej saj u dhuruan 14 instrumente për fëmijët e fshatit Asim Zeneli (Antigone) vendlindja e Maestro Bujar Llapajt. Më pas u krijua mundësia që të jepen kurse private nga mësuesit e Gjirokastrës për të vegjëlit që kishin dëshirë të mësonin instrumente muzikore në këtë trevë dhe pagesa për mësimdhënien mbështetet me fondet që grumbullohen çdo vit në Vancouver.

Po kështu falë kësaj ndihme, aktualisht një studente vazhdon studimet për flaut në Akademinë e Arteve Tiranë, ndërsa një tjetër pëgatitet ti fillojë ato këtë vit. Kujtojmë që në turneun e dytë, më 2018, u dhuruan sërish instrumenta muzikore për shkollën e muzikës "Feim Ibrahimi" në Gjirokastrër dhe gjithashtu për shkolla të tjera si në Prizren, Prishtinë, Tetovë dhe Shkup.

Pas koncertit, përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook, Maestro Bujar Llapaj ka falenderuar në mënyrë të veçantë interpretuesit e rinj, vëllezërit pianistë Colyn dhe Brian Li, violinistin Galland Chan si dhe dy instrumentistët profesionistë Ana Pietrzak (kitarë) dhe Gene Ransbottom. Aktiviteti u realizua edhe falë mbështetjes së Tony Lee dhe Grace Church në Vancouver që vuri në dispozicion ambientet e saj.

©Flasshqip.ca