Shtëpia në High Park - Nga Marelba Fushekati
- Published in Kanada
High Park është një nga parqet më të mëdha të Torontos, me një sipërfaqe prej afërsisht 160 hektarësh. Hapësira që përfshin qendra sportive, kopësht zoologjik, plantacionin e famshëm të qershive dhe numrin e shumtë të lisave savana që kanë ekzistuar në këtë park përpara se kolonizatorët europianë të zbarkonin në kontinent, ruan në pjesën jugore të tij shtëpinë e John dhe Jemima Howard-it, të cilët ishin krijuesit dhe pronarët e këtij parku.
Shtëpia është e ndërtuar në vitin 1836, nga vetë John Howard. Figurë mjaft interesante e brezit të tij, që pretendoi të vinte nga një vijë gjaku aristokratike angleze, John Howard ishte fëmija i katërt nga shtatë fëmijët e një marangozi, i lindur John Corby, nga Herfordshire, Angli. Me të mbërritur në Kanada, inxhinieri dhe arkitekti ambicioz ndryshoi emrin, duke pretenduar se ishte fëmija ilegjitim i një lordi anglez.
I punësuar si mjeshtër vizatimi në kolegjin e Kanadasë (Upper Canada College), John Howard u rekomandua në këtë pozicion nga nënkoloneli Sir John Colborne, për nder të të cilit, shtëpia në High Park mban emrin e tij.
Arkitekti i parë profesionist i Torontos, krijoi ndërtesa mbresëlënëse. Azili Provincial për të sëmurët mendorë i ndërtuar midis 1846 dhe 1849 dhe i quajtur “Mbretëresha 999”, ishte e para vepër arkitekturore në Toronto pajisur me një sistem të plotë hidraulik. Një spital i ri, me një mentalitet human, vend ku të sëmurët nuk do t’u nënshtroheshin torturave ç’njerëzore por do përpiqeshin të kuroheshin. Një respekt për mendjen njerëzore.
Shtëpia në pyll ka një thjeshtësi primitive, e në të njëjtën kohë ka qenë e industrializuar për kohën. Tualeti i parë i brendshëm, paraqitet interesant dhe po aq funksional sa edhe sot.
Kuzhinat e gatimit janë verore dhe dimërore, duke lejuar kështu mundësinë e ajrimit dhe ventilimit në verë nëpërmjet izolimit të varfër të mureve, për të shmagur temperaturat e larta. Tempulli i Solomonit është gjithashtu i projektuar dhe ndërtuar në dru nga Howard-i, si për të kujtuar masonizmin, sekt të cilit ai i përkiste.
Si një kasolle në mes të pyllit, shtëpia përveç artifakteve, ka pikturat të krijuara nga të zotët e shtëpisë, talent që e ndanin të dy. Bashkëshortja, Jemima, një grua që Zoti nuk e gëzoi me fëmijë ishte asistentja e pandarë në biznes e John Howard-it.
Ky burrë i zgjuar i kohës së tij, ndërkohë ndau jetën me Jemiman dhe me një familje të dytë, me një grua të quajtur Mery Williams, me të cilën pati tre fëmijë, të cilët nuk u njohën si fëmijë të tij nga John-i dhe as u përfshinë në aktin e trashëgimisë.
Pas vdekjes së tij, parku bashkë me shtëpinë iu la qytetit të Torontos, me kushtet që të mbahet në gjendjen e tij natyrale, të jetë falas për qytetarët, të mos konsumohet alkool në ambientet e tij, asnjë pemë të mos pritet në rast se nuk pëson sëmundje ose tharje natyrale, dhe natyrisht, si pronar dhe krijues, John Howard-i së bashku me të shoqen të prehen në këtë park. Në jetë e pas saj, John Howard, mbetet një mendje e bukur, e zgjuar, progresive dhe natyrisht një njeri i pajisur me mëkatet e tokës.
Toronto, Mars, 2020.