Kanada

Ndalimi i eksportit të maskave N95 nga Trump - Kanadaja tenton bisedime kulisash me dhëndrrin e Presidentit të USA

  • Published in Kanada

Ottawa - Një nga temat më të diskutuara prej dy ditësh, ka qenë deklarimi i Presidentit të USA, Donald Trump, për të ndaluar eksportimin e maskave N95 në drejtim të Kanadasë, për shkak të emergjencës së Coronavirus me të cilën po përballet fqinji amerikan. Megjithatë dje, Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka siguruar opinionin publik që brenda 48 orësh pritet të arrijnë në vend disa miliona maska nga Kina. Po kështu, ai ka pohuar që vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me USA, duke afirmuar që qeveria kanadeze nuk mendon për momentin si kundërmasë ndërprerjen e eksporteve dhe shërbimeve drejt SHBA.

Sipas disa burimevë të konfirmuara nga Radio-Canada, zyrtarë të lartë pranë qeverisë kanadeze, kanë pohuar se tashmë kanë nisur tentativat për bisedime në kulisa më fqinjin amerikan, gjë për të cilën janë angazhuar politikanë të niveleve dhe bindjeve të ndryshme politike me qëllim mbrojtjen e pozicionit të Kanadasë lidhur me qarkullimin e lirë të produkteve esenciale midis dy vendeve.

Po sipas burimeve në fjalë, personi më aktiv i bisedimeve në kulisa do jetë Katie Telford, shefja e Kabinetit të Justin Trudeau. Ajo ka njohje personale me dhëndrrin dhe këshilltarin special të Donald Trump, Jarred Kushner, madje dihet që ata shpesh këmbejnë tekst-mesazhe me telefon. Kushner dhe Telford kanë bashkëpunuar gjatë negociatave për Marrëveshjen e re të tregëtisë së lirë mes dy vendeve. Jarred Kushner ishte personi që luajti rolin kyç në fazën finale të negociatave si me Kanadanë ashtu edhe me Meksikën dhe dihet që askush tjetër nga administrata e Shtëpisë së Bardhë nuk e ka influencë më shumë se ai tek Presidenti Trump.

Katie Telford

Emërimi i Kushner si anëtar i Task-Force për Coronavirus me përgjegjësi të rëndësishme në mobilizimin e burimeve, pat ngjallur reagime të kundërta në opinionin amerikan, nisur nga fakti që ai nuk ka eksperiencë në politikat e shëndetit publik apo operacionet ushtarake. Po sipas të njejtave burime që citon Radio Canada, pala kanadeze beson që kontaktet me Jarred Kushner do mund të japin rezultatin e dëshëruar nga qeveria Trudeau.

Mendohet gjithashtu që edhe Sekretari amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin, përfaqësuesi amerikan i tregëtisë Robert Lighthizer dhe drejtori i Kabinetit të Donald Trump, Mark Meadows, mund të japin kontributin e tyre në favor të kërkesave kanadeze. Me këtë të fundit, gjatë negociatave për Marrëveshjen e tregëtisë së lirë ka diskutuar shpesh edhe ish-ambasadori kanadez në USA, David MacNaughton.

Një tjetër burim, të cilit i referohet Radio Canada, pohon që dy persona të tjerë kyç në raportet me administratën amerikane janë edhe ambasadorja e re kanadeze në USA, Kirsten Hillman, si dhe zëvendëskryeministrja Chrystia Freeland, e cila në legjislaturën e kaluar pat mbajtur portofolin e Ministres së Jashtme.

Photo credit: Reuters/Tom Brenner

Flasshqip.ca/Radio-Canada