Kanada

Tiff Macklem emërohet Guvernator i Bankës së Kanadasë

  • Published in Kanada

Tiff Macklem do të pasojë Stephen Poloz si Guvernator i Bankës së Kanadasë, njoftoi të Premten Ministri Federal i Financave Bill Morneau. Ai do të marrë detyrën në 3 Qershor.

Me origjinë nga Montréal, zotërues i të dy gjuhëve zyrtare, Macklem ka qenë gjashtë vitet e fundit dekan i Shkollës së Menaxhimit “Rotman” në Universitetin e Torontos.

E ka nisur karrierën në Bankën e Kanadasë më 1984, për t'u bërë më pas këshilltar i guvernatorit në 2003, ndërsa nga korriku 2010 deri në maj 2014 ka kryer funksionin e   zv/guvernatori të parë të këtij institucioni.

Macklem ka shërbyer gjithashtu si Zëvendës Ministër i Asociuar në Ministrinë e Financave dhe ka përfaqësuar Kanadanë në G7, G20 dhe Këshillin e Stabilitetit Financiar.

Sipas Ministrit Morneau, Macklem ka njohuri të thelluara për ekonominë kanadeze, tregjet financiare ndërkombëtare dhe veçanërisht për institucionin që do drejtojë, roli i të cilit është përmbushja e nevojave të qytetarëve kanadezëve në vazhdimësi dhe në përputhje me pritshmëritë e tyre.

Zëvendësguvernatorja e parë e bankës qendrore të vendit, Carolyn Wilkins dhe zëvendësguvernatori Paul Beaudry, gjithashtu ishin në listen e kandidatëve për zëvendësimin e guvernatorit aktual Stephen Poloz, i cili qysh Dhjetorin e kaluar pati deklaruar që nuk do të kërkonte një mandat të dytë shtatë vjeçar.

Ministri i Financave Bill Morneau e ka anashkaluar përgjigjen dhe nuk ka bërë komente përse nuk u miratua një kandidate femër, çka do të ishte e para here në historinë e Bankës së Kanadasë. Ai u mjaftua vetëm duke e vlerësuar procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të guvernatorit të ri si shumë solid.

CBC/Flasshqip.ca