Kanada

COVID-19 dhe ekonomia kanadeze/Rekord papunësie në Prill - Nga Armando Mosho

  • Published in Kanada

Armando Mosho

Sipas të dhënave të raportuara të premten, Kanadaja theu rekord në muajin Prill 2020 dhe niveli i papunësisë u rrit me 2 milion të papunë. Natyrisht këto humbje i atribuohen situatës pandemike shkaktuar nga COVID-19.

Ndërkohë qeveria Kanadeze ka deklaruar se ka zgjatur programin për subvencionimin e pagesave të bizneseve, program i cili ndihmon bizneset të tejkalojnë situatën e krijuar për shkak të ndërprerjes së detyruar të aktivitetit.

Pavarësisht se të dhënat nuk ishin aq keq sa parashikohej nga situata e tregjeve, Statistics Canada deklaroi se në përllogaritje nuk janë përfshirë 1.1 milion persona që kanë humbur përkohësisht punën dhe që presin të kthehen në punë pasi të hiqen kufizimet. Sikur të llogaritej edhe ky grup, papunësia në Prill do të ishte në nivelin rekord prej 17.8% krahasuar me raportimin aktual prej 13%.

Analistët parashikuan një humbje prej 4 milion vendesh pune gjatë Prillit dhe një shifër papunësie deri në 18%, krahasuar me 7.8% në muajin Mars 2020. Raportimi i shkallës së papunësisë në nivelin 13% nuk ​​është lajm pozitiv, por është shumë më mirë sesa shifrat e frikshme që priteshin. Gjithsesi duhet pohuar që situata mbetet thellësisht shqetësuese .

Shifrat e raportuara padyshim që nuk janë treguesi më i saktë i goditjes së madhe që ka pësuar ekonomia kanadeze në tërësi. Vendi po kalon një situatë jo të lehtë dhe deri më 5 Maj, më shumë se 7.5 milion vetë kanë aplikuar për të përfituar ndihmën financiare federale.

Nga ana e tij, Kryeministri Justin Trudeau ka deklaruar që do të zgjasë programin e subvencionimit emergjent të pagave përtej Qershorit 2020 me qëllim për të ndihmuar ristartimin e aktivitetit të bizneseve dhe mbështetur punësimin. Trudeau gjithashtu ka deklaruar se më shumë detaje do të jepen gjatë javës që vjen. Programi po mbështetet me 73 miliardë dollarë, diçka më më pak se gjysma e gjithë vlerës së programuar nga qeveria federale për përballimin e krizës.

Ministri kanadez i Financave, Bill Morneau, kritikoi te premten rrjedhjen e informacionit mbi të dhënat e parashikuara për papunësinë në muajin Prill, të dhëna që aq shumë po priteshin nga tregjet. Të dhënat parashikohej të publikoheshin në faqen e internetit të Statistics Canada në 8:30 në mëngjes, por Agjencia financiare Bloomberg arriti t’i raportojë me saktësi shifrat 30 minuta më herët.

“Rrjedhje informacioni të kësaj natyre janë të papranueshme. Ne do të hetojmë incidentin dhe do të ndërmarrim të gjitha masat e duhura në mënyrë që kjo të mos ndodhë përsëri” - deklaroi zëdhënësi i Ministrit Morneau, Pierre-Olivier Herbert. Kjo është praktikisht diçka që nuk ka ndodhur më parë në Kanada.

Një tjetër shqetësim madhor për ekonominë kanadeze mbetet dhe reduktimi i nxjerrjes së naftës të papërpunuar si rrjedhojë e rënies së konsumit. Pas rënies së madhe të çmimit të naftës, piku u shënua me datën 20 Prill 2020 me minus 37$/fuçi, ditë e cila përkonte edhe me ditën e fundit kur duhet të likujdoheshin kontratat e së ardhmes.

Aktualisht tregëtimi i naftës bruto është rikthyer në nivelin e 24$/fuçi. Nafta e papërpunuar kanadeze kundrejt standardit të U.S.A. West Texas Intermediate (WTI) ia ka dalë të ngushtojë diferencën në çmim në nivelin më të ulët të arritur në 11 vitet e fundit duke u tregëtuar me vetëm $3,50 për fuçi nën WTI. Të dhënat e javës së kaluar tregojnë se rafineritë në Kanadanë Perëndimore kanë rritur prodhimin për te dytën javë radhazi, por prapëseprapë ky prodhim mbetet thellësisht më i ulët se mesi i Marsit 2020.

Kanadaja mban një deficit të llogarisë rrjedhëse dhe është një prodhues i madh i mallrave, përfshirë këtu edhe naftën, kështu që edhe monedha e vendit ka tendencë të jetë e ndjeshme ndaj fluksit global të tregtisë dhe kapitalit. Dollari kanadez u forcua kundrejt Dollarit Amerikan duke arritur pikën më të fortë në nivelin 1.3907 gjatë javës që shkoi dhe kjo kryesisht i atribuohet rikuperimit gradual të tregjeve dhe të dhënave më të mira sesa priteshin të shkallës së papunësisë.