Kanada

Kanadezja Dr. Theresa Tam dhe Xha Sulot shqiptarë - Nga Arben Kallamata

  • Published in Kanada

Arben Kallamata

Një lajm i ka alarmuar pa masë sot anti-maskistët dhe po qarkullon në të katër anët në faqet e Facebook-ut si material humoristik, duke iu dhënë edhe një rast tjetër inteligjentëve të shpalosin mprehtësinë e tyre, të komentojnë deklaratën dhe pamjen e jashtme të Doktoreshës Theresa Tam dhe, natyrisht, te tregojnë superioritetin e tyre ndaj racës së saj.

Dr. Theresa Tam është në krye të luftës kundër Covid-19 në një nga vendet që e ka qënë më të suksesshme në kontrollin e pandemisë. Ajo është një profesioniste e qetë, pa pompozitet, e saktë. Në Kanada atë e respektojnë dhe ia dëgjojnë fjalën të gjithë politikanët, të majtë e të djathtë. Në Kanada Covid-in e lufton shkenca, jo politika.

Tani le të vijmë pak te këshilla që jep ajo për seksin me maskë dhe të sqarojmë pak Xha Sulot shqiptarë që nuk i le inteligjenca e tepërt të marrin mundimin të lexojnë lajmin dhe të kuptojnë përse bëhet fjalë. Po e përkthej pjesën përkatëse të deklaratës së saj:

“Shëndeti seksual është pjesë e rëndësishme e shëndetit në përgjithësi. Megjithatë, në kushtet e Covid-19 seksi mund të bëhet problematik, veçanërisht për ata që nuk kanë partner intim në shtëpitë ku jetojnë, ose ata, partnerët e të cilëve janë rrezik i lartë për Covid-19.” Veçoj thelbin: “për ata që nuk kanë partner intim në shtëpitë ku jetojnë.”

Ajo këshillon që në kushtet e pandemisë seksi me veten është forma më e sigurt e seksit dhe këtu s’ka asgjë për t’u çuditur. (Për ata që s’e kuptojnë, e ka fjalën për masturbimin). Pastaj thotë se njerëzit duhet të sigurohen se partnerët e tyre tregohen të kujdesshëm për të mos e kapur dhe shpërndarë virusin. Ajo sugjeron që duhet qënë i kujdesshëm me përdorimin e alkoolit, pasi ky i bën çiftet të marrin vendime jo dhe aq të matura në lidhje me seksin. Pastaj shkruan shprehimisht:

“Të dhënat e deritanishme tregojnë se ka shumë pak të ngjarë që Coronavirusi të përhapet përmes simenit apo lëngjeve vaginale. Megjithatë, edhe pa pasur simptoma, veprimtaria seksuale me partnerë të rinj e shton rrezikun e kapjes dhe përhapjes së Covid-19 përmes kontaktit të afërt, si e puthura.”

Po veçoj përsëri pjesën më të rëndësishme: “veprimtaria seksuale me partnerë të rinj”.

Le ta shpjegojmë sa më thjeshtë:

Pas periudhës së izolimit që filloi në mes të Marsit këtë vit, Kanadaja filloi të hapet me kujdes duke kaluar në tre faza. Faza e tretë nisi në fund të Korrikut dhe, në disa qytete, në fillim të Gushtit. Në fazën e tretë u lejua hapja e restoranteve dhe bareve. Sipas të dhënave dhe siç ishte parashikuar edhe nga Dr. Theresa Tam, pas hapjes në fazën e tretë pati rritje në numrin e të infektuarve. Po sipas të dhënave, shumë pacientë të rinj e kanë marrë virusin nëpër bare dhe restorante. Një shumicë alarmuese e tyre kanë qënë të rinj. Flasim për njerëz që frekuentojnë baret, pijnë, bëjnë qef dhe pastaj edhe bëjnë seks me partnerë të rastit, me njerëz të cilëve s’marrin mundimin t’ua mësojnë as emrin.

A e kuptoni për kë e ka fjalën o miq ironikë? Përpara se të tregoni erudicionin tuaj, merrni mundimin të lexoni lajmin, të kuptoni për çfarë dhe për kë bëhet fjalë. Ka shumë të ngjarë që Dr. Theresa Tam të mos e ketë fare fjalën për ty, xhaje…

©Arben Kallamata