Kanada

Bashkimet familjare dhe studentët e huaj - Qeveria kanadeze njofton masa të reja lehtësuese

  • Published in Kanada

Qeveria Trudeau ka marrë në konsideratë shqetësimin e shprehur nga qytetarët kanadezë të ndarë prej të afërmve te tyre për muaj me radhë dhe në pamundësi për të ardhur në Kanada për shkak të pandemisë COVID-19. Përmes masave të reja, qeveria synon të lejojë hyrjen e anëtarëve të caktuar të familjes së qytetarëve kanadezë dhe rezidentëve të përhershëm që nga 8 Tetori.

Ministri i Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, Marco Mendicino, deklaroi të premten se Ottawa ka miratuar rregulla të reja mbrojtëse "solide" që do të ndihmojnë në ekuilibrimin e sigurisë së kanadezëve dhe bashkimin e familjeve për arsye humanitare.

Kështu, për shembull, persona që kanë pasur një lidhje ekskluzive në çift për të paktën një vit me një shtetas kanadez do të kenë mundësi të vijnë në Kanada. Ardhja e fëmijëve në ngarkim, fëmijëve të rritur, nipërve, vëllezërve dhe motrave apo gjyshërve, gjithashtu do të lehtësohet.

Ministri Mendicino sqaroi gjithashtu se qeveria do të lejojë hyrjen e disa shtetasve të huaj për arsye humanitare në rrethana specifike të tilla për të afërmit e tyre si sëmundje me rrezik për jetën, dëmtime serioze apo vdekje dhe sipas rastit, me përjashtime të kufizuara karantine.

Më në fund, nga 20 Tetori, Ottawa do të lejojë hyrjen në Kanada të studentëve të huaj që ndjekin një institucion të caktuar arsimor, institucion që do të ketë marrë më parë miratimin e planit të tij të ndërhyrjes për të kontrolluar përhapjen e COVID-19 nga qeveria provinciale.

Ministri i Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, Marco Mendicino

Në një konferencë për shtyp sëbashku me ministren e Shëndetësisë, Patty Hajdu dhe ministrin e Sigurisë Publike, Bill Blair, Marco Mendicino theksoi se detyrimet për karantinë me hyrjen në Kanada do të vazhdojnë të zbatohen, pavarësisht miratimit të këtyre masave të reja.

Për tu siguruar që hyrja e këtyre personave të mos kontribuojë në përhapjen e mëtejshme të virusit, qeveria Trudeau ka në plan të forcojë akoma më shumë praninë e specialistëve të shëndetit publik në kufi dhe të përmirësojë mbikëqyrjen e karantinës. Parashikohet që prania e tyre do të mbulojë 36 pika hyrëse përmes të cilave kalojnë 90% e personave që mbërrijnë në Kanada në periudha normale.

Për të përmirësuar këmbimin e informacionit, Agjencia e Shëndetit Publik të Kanadasë ka krijuar portale dixhitale që lejojnë udhëtarët të furnizojnë informacionin e domosdoshëm përmes aplikacionit ArriveCAN, në mënyrë që të dhënat të mund të merren dhe transmetohet në province e territore shpejt dhe në mënyrë të sigurt.

"Kufizimet e udhëtimit që vendosëm për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e Kanadezëve nuk ndryshojnë dhe ne duhet të vazhdojmë të veprojmë me disiplinë dhe vigjilencë në përgjigjen tonë ndaj pandemisë COVID-19," pohoi Ministri Mendicino. Nga ana tjetër, sipas ministrit, “kanadezët dhe kushdo që synon të udhëtojë në Kanada duhet t'i përmbahet rregullave të karantinës dhe të ndjekë udhëzimet e organeve të Shëndetit Publik për të ndihmuar në kontrollin e përhapjes së COVID-19.”

©Flasshqip.ca