Kanada

British Columbia - Fitore historike e NDP, John Horgan kryeministër për të dytën herë radhazi

  • Published in Kanada

Victoria - Ashtu siç pritej nga sondazhet dhe siç na patën informuar dhe drejtuesit e shoqatës shqiptaro-kanadeze Ardian Lagji dhe Edison Heba, John Horgan, shefi neodemokrat ka arritur të sigurojë shumicën e mjaftueshme në parlamentin provincial të British Columbia për të qeverisur i vetëm.

Me rreth 55 deputetë në gjithsej 87 vende, Horgan bëhet udhëheqësi i parë i NDP që drejton partinë në një mandat të dytë radhazi. Ai do të ketë kësisoj më shumë liri veprimi sesa në tre vitet e fundit, kur ishte në krye të një qeverie në minorancë të mbajtur në pushtet nga një koalicion me Partinë e Gjelbër.

35 ditë më parë, për të thirrur zgjedhjet e parakohshme kryeministri vendosi të përdorë popullaritetin e tij të madh që rezultonte nga menaxhimi i suksesshëm i krizës së COVID-19 në British Columbia. Kjo taktikë provokoi kritika nga kundërshtarët e tij, por me sa duket nuk ishte e mjaftueshme për t’i ndryshuar mendimin shumicës së zgjedhësve.

Në një prononcim për mediat, John Horgan e deklaroi fitoren, megjithëse ende mbeten shumë vota për t'u numëruar. Deri atëherë, ai zotua se të vazhdojë të përqendrohet te kontrolli i situates pandemike në ndihmë të gjithë qytetarëve. Ndërkohë, kryeministri kanadez Justin Trudeau i ka përcjellë atij urimet e rastit.

Kryetarja e Partisë së Gjelbër, Sonia Furstenau, e zgjedhur në këtë post vetëm një javë para fillimit të fushatës, është rizgjedhur deputete, ndërsa partia e saj ka siguruar 3 vende në legjislativin provincial, aq sa kishte para deklarimit të zgjedhjeve të parakohshme.

Nga ana e tij, Andrew Wilkinson, kreu i Partisë Liberale që pritet të ketë 29 vende, nuk e ka pranuar ende humbjen duke deklaruar gjithashtu se ka ende shumë vota (me postë) për t’u numëruar.

Gjithsesi, liberalët që deri tani kontrollonin 42 vende në parlament, duket se do konsiderohen si humbësit e mëdhenj të kësaj gare, e treta në nivel Kanadaje në kohë pandemie, pas atyre në New Brunswick të zhvilluara tashmë dhe atyre në Saskatchewan që do të mbahen nesër.

Godina e Parlamentit Provincial - Victoria, British Columbia

Rezultatet përfundimtare do të vonohen

Elections BC tashmë i ka paralajmëruar votuesit se ata duhet të presin shpalljen e rezultateve përfundimtare për shkak sidomos të votave me postë. Sipas zëdhënësit Andrew Watson, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, Election BC do të presë të paktën 13 ditë pas votimit të përgjithshëm para se të fillojë të numërojë votat e derguara me postë. Fletëvotimet kontrollohen gjithashtu në faza të ndryshme për t’u siguruar që nuk ka pasur falsifikime, që gjithashtu votuesit që votuan në këtë mënyrë ishin regjistruar dhe kishin të drejtë vote.

Sipas statistikave, në zgjedhjet e vitit 2017 në British Columbia patën votuar gjithsej 1.986.374 zgjedhës, ndërsa sivjet vetëm para ditës së votimit duket se kanë votuar 1.159.955 prej tyre.

©Flasshqip.ca