Kanada - Miqtë nga Montréal të Kamala Harris përshëndesin fitoren e ish-nxënëses së Wesmount High School
- Published in Kanada
Sipas CBC-Radio Canada, ish-shokët e klasës në Shkollën e Mesme Westmount, ku u diplomua Kamala Harris, përshëndetën fitoren e Zëvendëspresidentes së zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kamala Harris jetoi për pesë vjet në metropolin e Quebéc kur nëna e saj, Shyamala Gopalan, një studiuese e kancerit të gjirit, punoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin McGill dhe kreu kërkime në Spitalin e Përgjithshëm Hebre.
Harris u diplomua nga Shkolla e Mesme Westmount në vitin 1981. Ata që studiuan me të në të njejtën kohë, duket se kanë kujtime të bukura për ish-shoqen e tyre të shkollës dhe kanë shprehur entuziazmin e tyre për fitoren e saj.
Wanda Kagan, e cila ndoqi të njëjtën shkollë, u shpreh se u ndje e lumtur kur dëgjoi për fitoren e shoqes së saj më të mirë në shkollën e mesme. “Isha aq e ngazëllyer, veçanërisht për vajzën time, një grua me ngjyrë, e fortë dhe e pavarur. Është domethënëse për të gjithë” tha ajo në një intervistë për CBC.
Kagan pohon se miqësia e saj me zëvendësen e Joe Biden, i ndryshoi rrjedhën e jetës së saj si adoleshente. Ajo gjithashtu i vuri emrin Maya vajzës së saj, që është dhe emri i motrës së Kamala Harris. “Kur isha në shkollë të mesme, u abuzova nga njerku im. Kamala dhe unë ishim mikeshat më të mira dhe ia besova asaj hallin tim”, thotë Kagan. “Kamala më pas foli me nënën e saj e cila kërkoi që unë të shkoja të jetoja me ta, kështu që unë jetova me familjen Harris deri në fund të atij viti shkollor.”
Dean Smith, një tjetër student në grupin e Kamala Harris, e krahasoi fitoren e ish-shoqes së të tij të klasës me atë të triumfit të dashurisë ndaj urrejtjes. E mira gjithmonë fiton në fund, beson ai.
Në një intervistë me CBC, z. Smith tha se ai ka vetëm kujtime të bukura për Kamala Harris. Ai beson se fitorja e saj si gruaja e parë me ngjyrë në postin e zëvendëspresidenti të USA do të jetë një frymëzim për të rinjtë. Është shembull i mirë për vajzat e reja të shohin që edhe nëse prindërit e tyre vijnë nga një vend tjetër, ato kanë vendin e tyre këtu dhe mund të jenë të suksesshme.
Trevor Williams, një ish-anëtar i ekipit kombëtar kanadez të basketbollit, i cili ishte mik me Kamala Harris dhe motrën e saj Maya, i kujton ato si nxënëse inteligjente dhe diskrete. Ai nuk është i befasuar nga suksesi i ish-shoqes së të tij të klasës. “Thjesht kisha një ndjenjë se ajo do të bëhej dikush në shoqëri diku, në një mënyrë apo në një tjetër”, ka thënë Williams.
Hugh Kwok, e cili ishte gjithashtu shok i Kamala Harris, kujton se Kamala ishte nxënëse me shumë reputacion në shkollën e Westmount. Sipas tij, ajo ishte në gjendje të përshtatej lehtësisht me klimën dhe me diversitetin kulturor dhe gjuhësor të Montrealit. “Ajo kishte diçka të veçantë, ajo u miqësua me të gjithë”, kujton ai.
Kwok mendon se fitorja e saj me Joe Biden është një zhvillim pozitiv dhe mund ti shërbejë njerëzimit si një mesazh paqeje dhe dashurie. Ai gjithashtu beson se fitorja e dyshes Biden-Harris do të jetë e mire edhe për Kanadanë.
Shkolla e Mesme Westmount nuk vonoi ta urojë Kamala Harris, duke përshëndetur në Twitter Kalorësen e Westmount High School në Shtëpinë e Bardhë.
©Flasshqip