Kanada

Radio Canada: Skenari i mashtrimit masiv zgjedhor në USA është hedhur poshtë nga vëzhguesit e huaj

  • Published in Kanada

Alexis De Lancer - Ottawa

Radio Canada në intervistë me Ambasadoren Urszula Gacek, shefe e misionit vëzhgues te ODIHR (OSBE) në zgjedhjet presidenciale amerikane të 3 Nëntorit 2020. Zj. Gacek, e diplomuar ne Oxford University, ka qenë anëtare e Parlamentit Europian (si përfaqësuese e partisë së qendrës së djathtë "Civic Platform" e ish-kryeministrit polak Donald Tusk, ish-president i Këshillit Europian dhe aktualisht kryetar i Partisë Popullore Europiane), ambasadore e Polonisë pranë Këshillit të Europës dhe Konsulle e Përgjithshme e Polonisë në New York City.

Autori i intervistës bën pjesë në një ekip gazetarësh të Radio Canada që quhet “Dekriptuesit” (Les Décrypteurs). Ky ekip gjurmon informacione të rreme që përhapen në rrjetet sociale. Misioni i tij është lufta ndaj dezinformimin dhe nxjerrja në dritë e anëve më të errëta të internetit. Për t’i kontakuar mund t’u shkruani: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. 

Presidenti Donald Trump vazhdon me deklaratat e tij për mashtrim elektoral. Një refren që ai e kishte përsëritur gjatë gjithë fushatës. Ndërsa avokatët e tij shumëfishojnë ankimimet e tyre për të përmbysur rezultatin, provat e bazuara të mashtrimit masiv ende mungojnë.

Cilat janë konstatimet e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara? Është fakt i ditur që misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve nuk shkojnë vetëm në vendet ku sundojnë regjimet autoritare. Me ftesë të Departamentit të Shtetit, qindra vëzhgues të huaj janë mbledhur në Shtetet e Bashkuara javët e fundit. Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) ka dërguar rreth 30 ekspertë dhe sapo ka publikuar raportin e saj paraprak. Askund nuk bëhet fjalë për mashtrim të madh zgjedhor.

Ndër organizatat e tjera ndërkombëtare të pranishme në terren është edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Shefja e misionit të kësaj organizate foli me ekipin "Dekriptuesit". Nga Uashingtoni, Urszula Gacek pohoi që zyra e saj nuk ka marrë kurrë kaq shumë kërkesa për intervistë, por e pranoi menjëherë që skenari është i pazakontë. Një president i cili me kokëfortësi refuzon të njohë një rezultat zgjedhor është gjë e zakonshme mbase tjetërkund në botë, por jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadorja Urszula Gacek

Radio Canada: Organizata juaj sapo ka përfunduar misionin e saj të nëntë të vëzhgimit të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Këtë herë, cila ishte shkalla e përfshirjes tuaj?

U. Gacek: Ne arritëm në Shtetet e Bashkuara në fillim të Shtatorit dhe do të qëndrojmë deri në 15 ose 16 Nëntor. Kjo është procedura jonë e zakonshme pasi është një mision afatgjatë që përfshin periudhën parazgjedhore. Ne kishim një ekip prej 15 ekspertësh me qendër në Uashington të bashkuar me vëzhgues të tjerë, gjë që na mundësoi të mbulonim 30 shtete gjatë fushatës dhe të kishim një prani në terren deri në ditën e votimit. Pra, në total ne ishim rreth 100 vetë, gjë që mund të mos duket shumë në nivelin e vendit, por ditën e zgjedhjeve ne ishim në Arizona, Nevada, Pennsylvania dhe Georgia. Ishim të lirë të vendoseshim atje ku e shihnim të arsyeshme të vendoseshim. Unë kam besim të plotë në konkluzionet tona, të cilat merren jo vetëm thjesht me procesin e votimit, përfshijnë të gjithë fushatën elektorale, financat e fushatës, të gjitha ligjet e ndryshuara deri në momentin e fundit dhe të gjitha sfidat e identifikuara në javën pas votimit. Përmes gjithë kësaj, ne ishim në gjendje të mbulonim gjithçka pa e kompromentuar misionin tonë.

Radio Canada: A keni konstatuar mashtrim masiv siç pretendon Donald Trump?

U. Gacek: Jo, ne nuk gjetëm ndonjë rast falsifikimi. Sigurisht, me gati 160 milion njerëz që ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, nuk mund të përjashtohet mundësia që ndonjëherë të ketë pajisje të prishura, ose gabime njerëzore, por sistemi amerikan është solid dhe kudo ka vëzhgues dhe rregulla të rrepta kontrolli.

Radio Canada: Votimi përmes postës ka qenë në qendër të shumë akuzave për mashtrim. po në lidhje me këtë cili është mendimi juaj?

U. Gacek: Kjo ishte sigurisht një sfidë e re për shumë votues që votuan me postë për herë të parë. Ishtë një sistem shumë më kompleks sesa votimi në një qendër votimi dhe secili shtet ka rregullat e veta. Por në disa raste, dhe unë e kam vëzhguar vetë, votuesit u mbikëqyrën drejtpërdrejt gjatë gjithë procesit. Ne gjithashtu monitoruam sistemin postar. A do të ishte në gjendje të jepte gjithçka? Ka pasur shumë komente denigruese në këtë drejtim. Nga fundi, shumë votues nuk donin të rrezikonin dhe shkuan me fletëvotimet e tyre për t'i dorëzuar ato personalisht ose për t'i hedhur në kutitë postare në disa qarqe. Gjithsesi ne nuk kemi vërejtur ndonjë parregullsi në shkallë të gjerë.

Radio Canada: A keni vërejtur ndonjë rast të frikësimit të votuesve?

U. Gacek: Fatmirësisht jo, aspak. Ne monitoruam praninë e vëzhguesve partitë politike, por konstatuam që ata i përmbaheshin një kodi të sjelljes të ngjashëm me tonin. Por nga ana tjetër ne kemi parë që komisionerët zgjedhorë po intimidoheshin gjatë numërimit të votave, dhe ky është një shqetësim i madh, konstatim ky që do të përfshihet në raportin tonë përfundimtar, që do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm. Është totalisht e papranueshme ta bësh këtë ndaj njerëzve kaq punëtorë, të përkushtuar dhe që e kanë respektuar plotësisht procesin zgjedhor. Kërcënimi i tyre është i papranueshëm në asnjë rrethanë.

Radio Canada: Cili është qëndrimi i organizatës suaj në lidhje me akuzat për mashtrim masiv elektoral të ngritura nga Presidenti Trump?

U. Gacek: Le të ndajmë së pari retorikën nga substanca. Së pari, çdo kandidat, përfshirë presidentin në detyrë, mund të apelojë rezultatet e zgjedhjeve. Unë kam qenë dëshmitare e zgjedhjeve në vende të tjera ku qasja në gjykata ishte e kufizuar për disa kandidatë ose parti politike. Pra, fakti që Donald Trump po i drejtohet drejtësisë për të paraqitur ankimime është absolutisht normal. Tani u takon gjykatave të përcaktojnë nëse këto kërkesa janë të pranueshme dhe nëse janë të bazuara. Fillimisht kemi vërejtur një numër të kërkesave të tilla, por ato janë pakësuar, ose sepse u tërhoqën ose sepse u refuzuan nga gjykatat në mungesë të provave. Edhe në rastet më të mediatizuara, numri i votave potencialisht të kontestuara është i pamjaftueshëm për të ndryshuar rrjedhën. Por e ritheksoj që Presidenti Trump ka çdo të drejtë të apelojë rezultatet. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Sidoqoftë, retorika na shqetëson, edhe nëse provat e paraqitura janë të pabazuara. Ne jemi plotësisht apolitikë. Ne gjithmonë themi se nuk na intereson kush është fituesi i zgjedhjeve; ajo që na intereson është procesi zgjedhor. Ajo që do të mbahet mend këtë vit nga këto zgjedhje në Shtetet e Bashkuara është se retorika e ka dëmtuar procesin zgjedhor. Metoda e votimit është bërë një çështje politike dhe pretendimet e pabazuara për mashtrim masiv kanë pasur një ndikim mbi procesin. Ne nuk e komentojmë politikën, por nuk hezitojmë të flasim kur vjen puna te kredibiliteti i sistemit zgjedhor dhe kur besimi te ky sistem lëkundet. Por në fund të fundit, për mendimin tonë, përkundër të gjitha sfidave të COVID-19, retorikës dhe debatit të nxehtë, struktura e sistemit rezistoi dhe e kaloi provën.

Radio Canada: Në mbyllje, na jepni ju lutem një përshkrim nga eksperienca juaj se me çfarë ngjason mashtrimi i vërtetë i votuesve në shkallë të gjerë.

U. Gacek: Për shembull, ekziston fakti i pengimit të një personi ose një partie politike për të marrë pjesë në zgjedhje. Në disa raste, ka kandidatë të rremë që garojnë për të bërë që zgjedhjet të duken të ndershme, kur në fakt vetëm një kandidat ka një shans real për të fituar. Ndonjëherë ka gjithashtu kontroll të plotë mbi mediat për të siguruar mbulim pozitiv të një kandidati/partie të caktuar në dëm të kundërshtarëve. Unë gjithashtu kam qenë dëshmitare në një process zgjedhor ku rezultatet ishin përcaktuar plotësisht para kohës së votimit. Mashtrimi mund të jetë i maskuar ose haptazi i qartë. Ne kemi parë tashmë raste kur qindra fletëvotime përfunduan në bllok (rrethuar me llastik) në kutitë e votimit, kështu që ju mund të imagjinoni befasinë e vëzhguesve ndërkombëtarë para skenash të tilla…

Burimi: Radio Canada: https://ici.radio-canada.ca/nouvelle/1749101/etats-unis-le-scenario-de-fraude-electorale-massive-ecarte-par-les-observateurs 

Raporti paraprak prej 24 faqesh i Misionit vëzhgues të ODIHR (OSBE) mbi zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

https://www.osce.org/files/f/documents/9/6/469437.pdf