Kanada

Nuk ka prova të mashtrimit masiv zgjedhor, deklaron Prokurori i Përgjithshëm i SHBA William Barr

  • Published in Kanada

Pas gjykatave, ka qenë radha e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, Bill Barr, një nga aleatët më besnikë të Presidentit amerikan në detyrë, për t’i cilësuar si të pabazuara pretendimet e Donald Trump dhe ekipit të tij të avokatëve në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 Nëntorit, që nxorrën fitues demokratin Joe Biden, ish-senator dhe ish-zëvendës për 8 vjet i Barack Omaba.

“Departamenti i Drejtësisë nuk ka zbuluar prova të mashtrimit të gjerë zgjedhor që mund të ndryshojë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020”, ka pohuar Barr gjatë një interviste me Associated Press (AP).

Kësisoj, deklarat e tij bie në kundërshtim me pretendimet e Presidentit Trump, i cili ende refuzon të pranojë humbjen e tij edhe pse Presidenti i zgjedhur Joe Biden përfundimisht mori dritën jeshile për të filluar procesin e tranzicionit.

Sipas CNN, Bill Barr shkoi dje në Shtëpinë e Bardhë pasi u publikua intervista e tij ndërsa presidenti në detyrë Donald Trump nuk ka bërë komente si herët e tjera në Twitter.

Menjëherë pas zgjedhjeve të 3 Nëntorit, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA pat autorizuar prokurorët federalë për të filluar hetimet mbi parregullsitë e pretenduara nga shefi i tij Donald Trump, çka vinte në kundërshtim me politikat e Departamentit të Drejtësisë, sipas të cilave hetimet nuk mund të fillojnë para shpalljes zyrtare të rezultateve. Në shenjë proteste ndaj këtij vendimi të William Barr pat dhenë dorëheqjen drejtuesi kryesor i Departamentit të krimeve zgjedhore

Duke mohuar gjithashtu pretendimet për një mashtrim sistemik përmes makinerive të numërimit të votave për të shtrembëruar rezultatet e zgjedhjeve, Barr hodhi në erë kësisoj edhe një nga pretendimet kryesore të Presidentit në detyrë Donald Trump, edhe pse gjatë intervistës u kujdes që të mos ia përmendte emrin.

Burimi: Radio Canada