Kanada

Ontario - Fillon vaksinimi anti-COVID nën drejtimin e gjeneralit Rick Hillier

  • Published in Kanada

Fushata e vaksinimit COVID-19 në Ontario do të nisë të Martën e ardhshme më 15 Dhjetor, njoftoi në një konferencë për shtyp sot pasdite gjenerali në pension Rick Hillier, i ngarkuar nga qeveria e Doug Ford të drejtojë Task-Force që do merret me administrimin e procesit në provincën më të populluar të Kanadasë me gati 15 milion banorë.

Hillier deklaroi që "dërgesa e parë e vaksinës së Pfizer, e miratuar nga Health Canada, do mbërrijë në Aeroportin Pearson të Torontos të Hënën", çka sipas tij "do të thotë që ontarianët e pare do mund ta marrin injeksionin e shumëpritur qysh të Martën". Ai gjithashtu saktësoi që ngarkesa e parë përmban doza të mjaftueshme për të vaksinuar 3,000 persona. Sasia do të ndahet në dy pjesë dhe do të shpërndahet në dy spitale, një në Toronto dhe një në Ottawa. Siç është bërë e ditur nga autoritetet mjekësore, vaksina administrohet në dy injeksione të dhëna me 21 ditë me diferencë.

Gjenerali Hillier konfirmoi gjithashtu që 90,000 doza të vaksinës prodhuar nga Pfizer do të shpërndahen deri në fund të Dhjetorit në Ontario (përfshi dhe 30,000 deri 85,000 nga Moderna) dhe brenda kësaj periudhe do të fillojë edhe vaksinimi i personelit të sektorin shëndetësor.

Lindur në vitin 1955 dhe me origjinë nga Newfoundland, Rick Hiller është gjeneral në pension i dekoruar Oficer i Urdhërit të Kanadasë për kontributin e tij si ushtarak karriere. Në vitet 2005-2008 ai ka kryer detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tē Armatosura të Kanadasë. Prej daljes në pension, ai ka vazhduar aktivitetin në shërbim të komunitetit dhe ndër të tjera ka themeluar edhe Programin "Hero", scholarship në ndihmë të fëmijëve të ushtarakëve të rënë në detyrë.

©Flasshqip.ca