Kanada

SHBA, zgjedhësit e mëdhenj konfirmojnë fitoren e Joe Biden 306 me 232

  • Published in Kanada

Përkundër të gjitha përpjekjeve të kampit Trump në gjykata dhe presionit ndaj zyrtarëve të zgjedhur në disa shtete kryesore për të anuluar rezultatin, procesi zgjedhor në fqinjin jugor të Kanadasë bëri një hap tjetër përpara me votimin zyrtar të Zgjedhësve të Mëdhenj, çka e afron Joe Biden edhe më afër Shtepisë së Bardhë.

Rreth orës 5:30 pasdite EST, me 55 votuesit e Kalifornisë, Joe Biden e kaloi zyrtarisht pragun e 270 votave të mjaftueshme për t’u shpallur fitues si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara detyrë të cilën do ta marrë zyrtarisht në 20 Janar. Ai do t’i adresohet në mbrëmje popullit amerikan nga qyteti i tij i lindjes Wilmington, Delaware.

Rezultatet e votimit të sotëm do të dërgohen në Kongres, ku numri i votave nga votuesit e mëdhenj të secilit shtet do të numërohet zyrtarisht më 6 Janar.

Rezultatet e 3 Nëntorit tashmë janë çertifikuar nga secili prej 50 shteteve amerikane. Sipas tyre, demokrati Biden fitoi numrin rekord të 81.28 milion votave, ose 51.3%, kundrejt 74.22 milion (46.8 %) për Presidentin e tanishëm Republikan Donald Trump. Ndërkohë sapo është njoftuar dhe dorëheqja e Prokurorit të Përgjithshëm William Barr.

©Flasshqip.ca