Kanada

Një astronaut kanadez do të fluturojë drejt Hënës

  • Published in Kanada

Radio Canada ka bërë të ditur sot që një astronaut kanadez do të marrë pjesë në udhëtimin e ardhshëm me njerëz drejt Hënës. Lajmi i referohet deklaratës së Ministrit të Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë Navdeep Bains.

Ministri Bains ka pohuar që Agjencia Kanadeze e Hapësirës dhe NASA kanë nënshkruar Traktatin e Stacionit Hapësinor Gateway në bazë të cilit Kanadaja do të marrë pjesë në misionet Artemis që do të realizojnë ndërtimin e një stacioni të ardhshëm hapësinor hënor. Traktati në fjalë gjithashtu parashikon që një astronaut kanadez të jetë pjesë e misionit Artemis II në 2023, misioni i parë hënor me njerëz që prej vitit 1972.

Emri i astronautit kanadez i cili do të marrë pjesë në ekuipazhin e ardhshëm hënor nuk dihet ende. Gjithmonë ky vendim merret sa më vonë që të jetë e mundur çka krijon kohë të mjaftueshme për trajnim ka shpjeguar me tone entuziaste në një intervistë me ICI RDI astronauti kanadez me origjinë nga Québec City, 50 vjeçari David Saint-Jacques, sipas të cilit, “ky është një lajm mahnitës, që duhet t’i bëjë krenarë të gjithë qytetarët kanadezë”.

Ndërkohë, disa kompani kanadeze do të marrin pjesë në procesin e përgatitjes së Canadarm 3 të destinuar për stacionin Gateway, që do të kontrollohet në distancë nga një qendër kontrolli në Kanada. Evropa dhe Japonia gjithashtu janë pjesmarrëse në këtë projekt ndërkombëtar.

Anija kozmike Orion - Foto NASA

Kapsula Orion do të jetë anija kozmike që do të lejojë transportin e ekuipazheve të misioneve Artemis. Stacioni Gateway, ndryshe nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS), nuk do të ketë ekuipazh të përhershëm në bordin e vet, ndërsa misionet me njerëz do të shkojnë atje të paktën një herë në vit. Canadarm 3 do të jetë përgjegjës për pjesën më të madhe të funksionimit të tij. Si në rastin e ISS, modulet e stacionit do të bashkohen me radhë një nga një. Dy modulet e para do lëshohen drej hapsirës në të njëjtën kohë në vitin 2023, pastaj do të shtohen module të tjera.

Stacioni hënor Gateway do të përbëhet nga module të kërkimit shkencor dhe module të banueshme. Katër astronautë do mund të jetojnë atje për një maksimum prej tre muajsh në të njëjtën kohë. Ata parashikohet të zbresin mbi sipërfaqen e Hënës për të kryer eksperimente shkencore dhe për të testuar teknologji të reja. Kësisoj, Gateway do të stërvisë astronautët për misione të gjata në përgatitje të udhëtimeve drejt planetit Mars.

Ilustrim artistik i Stacionit hapësinor Gateway - Foto NASA

Misionet Artemis

Artemis I planifikuar për në vitin 2022: fluturim provë pa pilot i anijes Orion.

Artemis II i planifikuar për në vitin 2023: Fluturimi i parë me personel i Orionit.

Artemis III i planifikuar për në vitin 2024: femra e pare astronaute në Hënë dhe pas saj një astronaut mashkull.

Platforma e hedhje së raketave NASA

©Flasshqip