Kanada

Buxheti i mbrojtjes: Kongresi i SHBA refuzon veton e Presidentit Trump

  • Published in Kanada

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë dërrmuese e ka refuzuar veton ndaj buxhetit të mbrojtjes të vendosur prej Presidentit në ikje Donald Trump, duke hapur kësisoj rrugën për votimin përfundimtar në Senat. Kjo është hera e parë që Kongresi anashkalon veton e Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara.

Dje më shumë se dy të tretat e parlamentarëve në Kongres votuan pro buxhetit pavarësisht kundërshtimeve të Presidentit. Shumica e domosdoshme për të hedhur poshtë veton presidenciale u arrit me 212 vota demokratësh dhe 109 vota republikanësh. Duket se Trump ka pësuar një disfatë domethënëse në prag të largimit.

Rezultat i negociatave të gjata, buxheti prej 740.5 miliardë dollarësh u miratua në fillim të Dhjetorit me shumicë dërrmuese si në Kongres, që kontrollohet prej Demokratëve po ashtu edhe në Senat që kontrollohet nga Republikanët. Në veçanti, buxheti parashikon një rritje prej 3% të pagës së personelit të Mbrojtjes.

Donald Trump deklaroi më 23 Dhjetor veton ndaj këtij buxheti, duke shkaktuar tronditje edhe brenda kampit të tij. Duke e cilësuar si shumë të favorshëm për Kinën pa dhënë ndonjë argument serioz, Trump veçanërisht e kritikoi buxhetin për faktin që sipas tij, ky tekst ligjor i hap rrugën mundësisë së riemërtimit të bazave ushtarake që mbajnë emra gjeneralësh të Konfederatës, të cilët patën luftuar në mbrojtje të skllavërisë gjatë Luftës Civile (1861-1865). Ai gjithashtu e justifikoi kundërshtimin e tij me faktin se teksti nuk përfshinte abrogimin e një ligji, të njohur si “Neni 230”, që mbron statusin ligjor të rrjeteve sociale, të cilat Trump i akuzon se janë kundër tij.

Mac Thornberry, përfaqësues i Texas

Kjo ishte hera e nëntë në katër vjet që Donald Trump vendos veton ndaj një ligji por Kongresi deri më sot nuk kishte siguruar asnjeherë vota të mjaftueshme për të anashkaluar veton e tij. Ka qenë pikërisht republikani nga Texas, Mac Thornberry, numri dy i Komitetit të Forcave të Armatosura të Kongresit ai që e nxiti kampin e tij të hidhte poshtë veton presidenciale. Është i njejti tekst, asnjë presje nuk ka ndryshuar në raport me atë të miratuar nga më shumë se 80% e përfaqësuesve 20 ditë më pare, ka deklaruar Thornberry kur ka marrë fjalën para votimit.

Ende asnjë datë nuk është caktuar për votimin në Senat, ku do të nevojitet një shumicë prej dy të tretash për të anashkaluar veton presidenciale. Në votimin e pare në Senat buxheti i mbrojtjes pat marrë 84 vota pro dhe 13 vota kundër.

Burimi: Agjencia France Presse dhe Radio Canada