Kanada

Presidenti Trump miraton shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Uashington

  • Published in Kanada

Presidenti në detyrë, Donald Trump, ka miratuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Uashington deri më 24 Janar, pasi Policia Federale e SHBA (FBI) njoftoi se grupe të armatosura planifikojnë të demonstrojnë atje në prag të investiturës së Joe Biden.

Sipas burimeve të cilave u referohet Radio Canada, një grup i armatosur, i identifikuar, ka deklaruar se ka në plan të dërgojë anëtarët e tij në Uashington të shtunën dhe ka premtuar një kryengritje në rast të një përpjekjeje për të hequr Donald Trump nga pushteti. Ky lajm është publikuar nga një reporter i ABC News në Twitter, duke cituar një qarkore të FBI.

Kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bowser, nga ana e saj ka kërkuar dje rritjen e masave të sigurisë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden që do të zhvillohet më 20 Janar. Kujtojmë që mbështetësit e presidentit Trump e sulmuan Kapitolin e Uashingtonit të Mërkurën e kaluar në një përpjekje për të penguar Kongresin e SHBA të çertifikonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit të kaluar

Pentagoni deklaroi gjithashtu dje se ka autorizuar vendosjen e 15,000 trupave të Gardës Kombëtare në Uashington me rastin e ceremonisë së betimit të presidentit Biden, me synim shmangien e përsëritjes së dhunës. Rreth 6,200 ushtarë janë tashmë të pranishëm aty dhe numri do të shkojë në 10,000 këtë fundjavë, pohoi gjenerali Daniel Hokanson. Po kështu, rreth 5,000 ushtarë shtesë do t’u bashkohen atyre ditën e betimit të presidentit të ri.

Për momentin, misioni i Gardës Kombëtare është i kufizuar në mbështetje logjistike për policinë lokale dhe pjestarët e saj do të përdoren vetëm in extremis për të bërë arrestime vetë, nëse situata del nga kontrolli, shtoi Hokanson, i cili mbikëqyr Zyrën e Gardës Kombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes.

Pentagoni u kritikua për vonesën në aktivizimin e Gardës Kombëtare pas asaj që ndodhi në Kapitol, kur mbështetësit e presidentit Trump sulmuan me dhunë atë që konsiderohet si tempulli i demokracisë në Amerikë, por sipas gjeneralit Hokanson, niveli i dhunës i ushtruar nga demonstruesit nuk ishte parashikuar nga autoritetet.

Thirrjet e reja për veprim në 17 janar filluan të qarkullonin në mediat sociale gjatë javës së kaluar. Nga ana e saj, Muriel Bowser, qytetarja e parë e Washingtonit, ka urdhëruar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 24 Janar për të qenë në gjendje të rivendosë menjëherë masa shtetrrethimi, nëse do të jetë e nevojshme. Dje ajo u bëri thirrje amerikanëve që të mos zhvendosen në Uashington për ceremoninë e 59-të të betimit presidencial në 20 Janar, duke i ftuar ata ta ndjekin atë virtualisht.

Radio Canada/Flasshqip