Kanada

Nga nesër, ish-astronauti i NASA Marc Garneau në krye të Politikës së Jashtme Kanadeze

  • Published in Kanada

Disa nga mediat kryesore në Québec kanë pohuar sonte në mbremje që sipas burimesh të sigurta nga Partia Liberale, ministri aktual i Transportit, austronauti i parë kanadez, Marc Garneau, nesër do të promovohet në postin e ministrit të Jashtëm të Kanadasë. Një nga arsyet që kanë ndikuar në caktimin e tij në këtë post, mendohet se është fakti që ai konsiderohet njohës shumë i mirë i SHBA, për arsye të karrierës së tij para angazhimit në politikë.

Nga ana e tij, kryediplomati aktual, François-Philippe Champagne, do të zëvendësojë në postin e ministrit të Industrisë, Shkencës dhe Inovacionit, Navdeep Bains, i cili ka deklaruar që do të largohet nga politika për arsye familjare në fund të kësaj legjislature. Ndërkohë, deputeti i Mississauga-Qendër, Omar Alghabra, do të marrë drejtimin e ministrisë së Transporteve.

Marc Garneau, ka lindur më 23 shkurt 1949 në Quebéc. Ai është me profesion inxhinier, oficer karriere i Marinës Kanadeze, astronaut dhe administrator. Pas diplomimit në Kolegjin Ushtarak Mbretëror Kanadez më 1970 ai ka marrë gradën PhD në Imperial College në Londër më 1973.

Si astronauti i parë kanadez, ai ka qenë pjesë e ekuipazhit të tre misioneve të NASA, në 1984, 1996 dhe 2000. Drejtues i Agjencisë Kanadeze të Hapësirës nga 2001 në 2006, kancelar i Universitetit Carleton në Ottawa (2003), prej vitit 2008 si deputet i Partisë Liberale në Dhomën e Komunave të Kanadasë ai ka përfaqësuar zonat elektorale Westmount - Ville-Marie dhe Notre-Dame-de-Grâce - Westmount në Montréal. Që nga Nëntori 2015, ai ka ushtruar detyrën e ministrit të 31-të të Transportit të Kanadasë, në kabinetin e Justin Trudeau.

©Flasshqip.ca