Kanada

Politika kanadeze përshëndet fillimin e mandatit të Presidentit Biden

  • Published in Kanada

Në unison të plotë, të gjithë drejtuesit kryesorë politikë në vend e kanë përshëndetur sot fillimin e mandatit të Joe Biden si President i 46-të i SHBA. I pari që ia ka përcjellë urimet (atij që nga sot do jetë partneri kryesor politik i Jugut në shtetin me të cilin ndahet kufiri më i gjatë në botë) ka qenë kreu i ekzekutivit kanadez Justin Trudeau.

Në një deklaratë të publikuar pak minuta pas betimit të pasardhësit të Donald Trump, Trudeau deklaroi që raportet e fqinjësisë Kanada-USA “janë ndër marrëdhëniet më unikale në botë”. Këto raporte sipas tij, bazohen në angazhimin e dyanshëm në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave demokratike, në interesat e përbashkëta e lidhjet e forta ekonomike si dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë. “Dy vendet tona janë më shumë se fqinjë pasi ne jemi gjithashtu miq të afërt, partnerë dhe aleatë”, ka theksuar në deklaratë lideri i Liberalëve.

Numri një i Partisë Konservatore Erin O’Toole gjithashtu e ka vlerësuar ardhjen e Joe Biden dhe Kamala Harris në krye të SHBA si një mundësi për më shumë afrim e bashkëpunim me dy vendeve, duke pohuar qe pret me padurim vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me ta. Nga ana e tij, Jagmeet Singh, shefi i Neodemokratëve, ka zgjedhur Twitter për t’i përcjellë urimet Joe Biden, ardhja e të cilit në krye të SHBA sipas tij, ka shënuar zyrtarisht fundin e një katërvjeçari ku mbisunduan urrejtja dhe dasitë dhe krijon mundësinë e ndërtimit të një bote më gjithpërfshirëse dhe të paqtuar.

Kryetarja e Partisë së Gjelbër, Annamie Paul, gruaja e parë me ngjyrë që drejton një parti politike kanadeze, përveç urimeve në adresë të Biden dhe Harris, e ka vlerësuar ditën e sotme si realizim të nje pjese të ëndrrës së Martin Luther King duke evokuar faktin që nëna e saj, sot 84 vjeç, ka qenë pjesmarrëse në marshimin e Uashingtonit në vitin 1963.

Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor tregëtar i Kanadasë dhe presidenca e Donald Trump, e karakterizuar nga një qasje e theksuar proteksioniste, duhet theksuar se ka qenë një sfidë jo e lehtë për Kryeministrin Trudeau. Marrëdhëniet midis dy vendeve përgjatë katër viteve që kaluan do kujtohen për rinegocimin e imponuar nga Trump të marrëveshjes së tregtisë së lirë si dhe për konfliktin mbi tarifat e disa prej prodhimeve kanadeze si çeliku, alumini dhe lënda drusore. Po kështu do mbahet mend fakti që Donald Trump e pat kritikuar ashpër, madje fyer Kryeministrin kanadez në fund të Samitit të G7 që u mbajt në Charlevoix (Québec), duke e cilësuar atë si gënjeshtar, të pandershëm dhe njeri të dobët.

Të shohim nëse ndryshe nga Trump, Biden do të përsërisë apo jo atë që kanë bërë shumë presidentë amerikanë që kanë udhëtuar drejt Kanadasë për vizitën e tyre të parë zyrtare, pasi kanë marrë detyrën. Në veçanti, duhen përmendur Ronald Reagan, George H. W. Bush dhe Barack Obama të cilët e realizuan vizitën pak kohë pasi u betuan, madje vizita e presidentit Obama në Ottawa mbahet mend për efektin që shkaktoi duke u cilësuar “Obamania”. Ndërkohë, Dhoma e Komunave e Kanadasë me një mocion unanim, e ka ftuar zyrtarisht Joe Biden të vizitojë Kanadanë dhe të mbajë një fjalim para deputëve federalë. Mocioni u miratua menjëherë sapo u bë i njohur rezultati i zgjedhjeve të 3 Nëntorit 2020.

©Flasshqip.ca