Kanada

Skandali i Rideau Hall ose dorëheqja pa lavdi e Guvernatores së Përgjithshme Kanadeze - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada

Taulant Dedja

Një raport i pavarur hetimor fshikullues ka shkaktuar ashtu siç u parajmërua qysh sot në mengjes nga disa media, largimin e palavdishëm të “maskuar” me një dorëheqje, të Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë, mëkembëses së Mbretëreshës Elizabeth II, Julie Payette. Bashkë me Payette, ka dhënë dorëheqjen edhe krahu i djathtë i saj, Sekretarja e Rideau Hall, Assunta Di Lorenzo.

Hetimi mbi situatën e rënduar dhe të tensionuar të marrëdhënieve të punës mes Guvernatores dhe administrates së saj, pat nisur qysh vitin e kaluar pas një artikulli të publikuar më 21 Korrik 2020 nga CBC News. “Klimë toksike, ngacmime dhe abuzime verbale në Rideau Hall, mbi 250,000 dollarë për të përmbushur nevojat e privatësisë së Julie Payette”, ishin titujt që paralajmëruan skandalin e sotëm, ndër më të bujshmit e viteve të fundit, çka provon edhe njëherë që shkeljet e etikës dhe abuzimet në ushtrimin e funksionit publik janë të kudondodhura, në të gjitha nivelet e pushtetit, edhe në vendet demokratike me traditë shumëvjeçare.

Pavarërisht karrierës së shkelqyer profesionale si një nga dy astronautet e para kanadeze, largimi pa lavdi i Julie Payette, zgjedhje personale e Kryeministrit Trudeau që rezultoi totalisht e gabuar, tregoi se jo gjithmonë dikush që arrin majat në profesion, mund të vlejë për t’i shërbyer me dinjitet vendit në funksione shtetërore. Pavarësisht ndoshta rolit më shumë juridik e protokollar sesa politik, në fund të fundit Guvernatori i Përgjithshëm është kryetari i shtetit kanadez, është komandanti i ushtrisë, është autoriteti që i jep sanksionin ligjor vendimeve më të rëndësishmë të qeverisë, autoriteti që mbledh e shpërndan parlamentin, autoriteti që emëron apo shkarkon qeverinë, autoriteti që pranon kredencialet e ambasadorëve të shteteve të tjera. Shkurt, bashkë me kryeministrin është fytyra zyrtare e shtetit dhe kombit kanadez.

Por pavarësisht këtij skandali, që besoj se do ti vlejë shumë si mësim çdo kryeministri kanadez në të ardhmen, largimi i detyruar dhe pa lavdi i Julie Payette, dëshmoi se në Kanada funksionojnë institucionet, funksionon kontrolli publik mbi pushtetin dhe mbi të gjitha funksionojnë mediat e pavarura. Falë mediave, pas denoncimit pranë tyre nga disa punonjës karriere të asaj që po ndodhte pas kuintave të Rideau Hall, erdhi reagimi i Zyrës së Këshillit Privat (The Privy Council Office) që mandatoi një firmë të specializuar në marrëdhëniet e punës për të zhvilluar një hetim të pavarur.

©Taulant Dedja