Kanada

Bashkëbisedim telefonik “super i ngrohtë” midis Trudeau dhe Biden

  • Published in Kanada

Kështu e ka raportuar media kombëtare kanadeze CBC bisedën e paralajmëruar më parë dhe të zhvilluar dje me telefon mes Presidentit amerikan Joe Biden dhe Kryeministrit Justin Trudeau. Kanë qenë disa tema që janë diskutuar dhe citohet se Biden dhe Trudeau kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim dypalësh muajin tjetër. Për shkak të pandemisë, ende nuk dihet nëse takimi do të jetë i drejtpërdrejtë apo virtual.

Biseda ka zgjatur rreth tridhjetë minuta dhe ka qenë e para mes Joe Biden dhe një drejtuesi të një shteti tjetër duke iu rikthyer kësisoj traditës së paraardhësve të ish-Presidentit Trump. Sipas Radio-Canada, toni i komunikimit ka qenë tepër i ngrohtë dhe diskutimi është fokusuar në tema me rëndësi thelbësore për të dy vendet. Dihet që Joe Biden e njeh mirë Kanadanë dhe rëndësinë e lidhjeve dypalëshe, madje mësohet që në bisedë ai ka kujtuar dhe faktin që bashkëshortja e tij e parë (e cila pat humbur jetën në një aksident automobilistik), e ndjera Neilia Biden, ka qenë me prejardhje kanadeze.

“Shumica e përparësive tona janë të ngjashme”, ka deklaruar një zyrtar i lartë i qeverisë Trudeau, emri i të cilit është mbajtur anonim, pasi nuk ka qenë autorizuar të shprehet publikisht për bashkëbisedimin Biden-Trudeau. Gjithsesi konfirmohet që temat kryesore të diskutuara kanë qenë COVID-19, punonjësit e kujdesit shëndetësor që shkojnë e vijnë në kufirin Kanada-SHBA si dhe garantimi në vazhdimësi i linjës së furnizimit veçanërisht për pajisjet mbrojtëse personale. Nga ana e tij, Joe Biden ka rikujtuar synimin për të filluar bisedime diplomatike me qeverinë e Kanadasë dhe atë Meksikës lidhur me protokollet e shëndetit publik në pikat e hyrje-daljes në kufijtë tokësorë.

Lidhur me projektin Keystone XL, Trudeau ka shprehur zhgënjimin për anulimin e lejes (pa përmendur fare propozimin e kryeministrit albertan Jason Kenney për vendosje sanksionesh) ndërsa Joe Biden ka riktheksuar rëndësinë e mbajtjes së premtitmit të tij elektoral, që mbetet në përputhje me vendimin e administratës Obama, ku ai ka qënë zëvendëspresident.

Ndërkohë ka patur dhe disa tema të tjera që janë diskutuar mes Joe Biden dhe Justin Trudeau. Sa i takon proteksionizmit amerikan, Biden ka garantuar se do të konsultohet me Kanadanë gjatë elaborimit të politikave të reja tregëtare, por pa bërë ndonjë premtim konkret. Lidhur me ndryshimet klimatike fokusi është përqëndruar te energjia e pastër pa CO2, përfshi hidroelektricitetin, temë me interes të drejpërdrejtë për Québec-un. Nga ana e tij, Trudeau ka ripërsëritur gjithashtu synimin e tij për suprimimin e tarifave për importin e lëndës së përpunuar drusore nga Kanadaja drejt SHBA. Dhe më në fund, lidhur me çështjen delikate të mbajtjes nën arrest nga Kina të dy shtetasve kanadezë Michael Kovrig dhe Michael Spavor, është rënë dakord të bashkëpunohet ngushtësisht për lirimin e tyre.

©Flasshqip.ca