Kanada

Dominion Voting Systems hedh në gjyq Rudy Giulianin për 1.3 miliard dollarë

  • Published in Kanada
Nga: Përgatiti Arben Kallamata

Kompania Dominion Voting Systems me qendër në Toronto ka regjistruar kërkesën për dëmshpërblim me 1.3 miliard dollarë nga avokati i ish-Presidentit Doland Trump, Rudy Giuliani, me akuzën e shpifjes dhe njollosjes së emrit përmes asaj që ata e quajnë “një fushatë ‘gënjeshtrash të mëdha’ në lidhje me mashtrimet gjatë zgjedhjeve presidenciale”.

Për dy muaj rresht Trump dhe aleatët e tij mohuan humbjen e zgjedhjeve të 3 Nëntorit përballë kandidatit Demokrat Joe Biden, duke pretenduar vazhdimisht, por pa sjellë fakte se zgjedhjet ishin rezultat i një manipulimi të gjerë.

Në akuzën e paraqitur gjykatës thuhet: “Për Dominionin - që është kompani e specializuar në organizimin e sistemeve të votimit për zgjedhje - nuk mund të ketë akuza më të dëmshme. Ato i shkatërrojnë kompanisë biznesin dhe emrin e mirë si organizatë e ndershme, etike dhe me integritet financiar. Deklaratat e Giulianit ishin llogaritur - dhe në fakt arritën - të ngjallnin pakënaqësi dhe t’i shkaktonin dëm Dominionit.”

As Giuliani dhe as avokati i tij Robert Costello nuk ujanë përgjigjur kërkesave për ta komentuar lajmin.

Përfaqësuesit e Dominionit deklaruan për shtyp se ata po e hapin këtë gjyq për “t’i vendosur gjërat në vend” dhe “për të mbrojtur të drejtat e kompanisë, të punonjësve të vet, dhe të procesit zgjedhor.”

Sipas Dominion, kompania ka shpenzuar 565 mijë dollarë për të paguar roje personale që të mbronte punonjësit e vet ndaj sulmeve dhe kërcënimeve me vdekje.

Eric Coomer, një nga zyrtarët e lartë të kompanisë ka hapur gjyq të veçantë ndaj fushatës së Trumpit, duke thënë se ka qënë i detyruar të fshihet për shkak të kërcënimeve me jetë që ka marrë nga mbështetësit e Trumpit.

Dominion është një ndër prodhuesit më të njohur të makinerive të votimit në Shtetet e Bashkuara. Pajisjet e prodhuara prej saj u përdorën në gati gjysmat e shteteve të Amerikës gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.

(Sipas CBC)