Kanada

Montréal - Policia arreston personin e gabuar, Gjykata i kthen lirinë studentit PhD të Politeknikut

  • Published in Kanada

Një ngjarje e pazakontë në metropolin frankofon ka vënë në pikpyetje veprimet e shërbimeve të policisë dhe organit të akuzës pas një vendimi të Gjykatës që ka liruar si të pafajshëm direkt në sallë, një 31 vjeçar gjatë seancës për vlerësimin e masës së arrestit. I ndaluari kishte disa akuza kriminale në ngarkim, ndër të cilat edhe tentativë për vrasje.

Viktima e arrestimit të gabuar, Mamadi Fara Camara, inxhinier me origjinë nga Guinea dhe student në nivelin PhD pranë Politeknikun të Montréal, duket se ka përjetuar 7 ditët e fundit javën më të vështirë të jetës së tij. Ka qenë pikërisht një video prova që ka bërë të mundur shfajësimin e tij dhe që ka detyruar prokurorinë të tërheqë akuzat. Në dalje të sallës së gjyqit, pasi policia i ka hequr prangat nga duart, 31 vjeçari ka mundur të përqafojë bashkëshorten shtatzënë që pritet të sjellë në jetë dy binjakë. Njëherazi dhe disa miq e kolegë që ndodheshin aty për ta suportuar.

Pikërisht të enjten e javës së kaluar një lajm i bujshëm zuri jo pak hapsirë në minutazhin e informacioneve mediatike të mbrëmjes. Behej fjalë për çarmatosje dhe plagosje të një polici që e mban uniformën prej 20 vitesh, në zonën e quajtur Parc-Extension, gjatë një operacioni rutinë kontrolli për përdorim celulari në timon. Ndërkohë, emri i të ndaluarit u bë i ditur të paktën rreth një orë pas incidentit, ndërsa arma e policit që thuhet se është shkrepur në ajër nuk dihet se ku ka përfunduar dhe nuk është gjetur dot më.

Një enigmë vazhdon të mbetet ngjarja që ka ndodhur dhe shumë pikpyetje lidhen me faktin pse shërbimet e policisë kanë akuzuar si autor pikerisht personin i cili me inciativën e vet si dëshmitar i ngjarjes ka telefonuar 911 për të raportuar atë që ka parë rastësisht si dëshmitar. Sipas prokurorit, kemi patur të bëjmë me ngatërrim personi dhe fatmirësisht një video e ka shfajësuar 31 vjeçarin. Nga ana tjetër, avokati i të arrestuarit gabimisht e ka konsideruar veprimin policor si krejt të nxituar.

Gjithsesi, lajm i mirë për Mamadi Camara pas rifitimit të lirisë, ka qenë dhe njoftimi nga Politekniku (ku ai studion dhe kryen kërkime në Laborator) për heqjen e masës së pezullimit dhe rikthimin e tij në aktivitetin normal universitar, madje duke i ofruar dhe mbështetje psikologjike.

Përmbysja e pazakontë në këtë histori e ka detyruar kryetaren e Bashkisë së Montréal, Valérie Plante, të pranojë që ngjarje të tilla ndikojne drejpërdrejt në uljen e besimit të publikut ndaj organeve të policisë, ndërsa opozita ka kërkuar një hetim të pavarur për nxjerrjen në dritë të së vërtetës, sepse nuk ka kuptim që policia të hetojë vetveten, aq më tepër rastin e një incidenti ku të krijohet përshtypja që është tentuar nxitimthi të gjendej një fajtor pa siguaruar prova solide. Madje një avokat i njohur, e ka cilësuar ngjarjen me epitetin kakofoni duke u rezervuar gjithsesi ta fusë atë në kategorinë e reagimeve të ndikuara nga profili racial i personit,

Mbetet për tu parë nëse viktima e gabimit në identifikim të policisë do ti drejtohet apo jo organeve kompetente për të reklamuar nga Bashkia dhe Qeveria e Québec (institucione nga të cilat varet Shërbimi Policor i Montréal) dëmshpërblim për cënim të reputacionit dhe të lirive themelore.

©Flasshqip.ca

Photo Credit: Radio Canada