Kanada

“Çështja Camara” dhe kryepolici i Montrealit në ditë të hallit - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada

 Taulant Dedja

Ka dy ditë që lajmi mbi arrestimin e gabuar nga Policia e Montrealit të një studenti PhD me origjinë nga Guinea, ka terhequr maksimalisht vëmendjen e mediave në Québec por jo vetëm. Gazetarë, avokatë e politikanë nuk kanë munguar të shtjellojnë deri në detaje njohuritë e tyre procedurale nga njera anë, apo të demonstrojnë reagime emocionalo-patetike nga ana tjetër.

Nuk e ka humbur rastin të marrë lidershipin e reagimit edhe vetë kryetarja e Bashkisë Valérie Plante, e cila synon të rifitojë mandatin e dytë, sikurse dhe gjithë shefat opozitarë të provincës që mbase mund të perjetojë gjithashtu një vit elektoral.

Valérie Plante

Pikëpyetje mund të renditen sa të duash. Pse, ku dhe për çfarë arsye gaboi policia? A mund të flitet për profilim racial në rastin konkret dhe diskriminim sistemik? Pse duhet të kalonin 7 ditë deri sa të gjendej nje video provë që shfajësonte të dyshuarin? A kemi të bëjmë me neglizhencë apo thjesht një gabim njerëzor?

Vështirë se të gjitha këto do të qartësohen edhe sikur të kryhet një hetim i pavarur, ashtu siç kanë kërkuar shumë aktorë publikë. Vështirë të imagjinohet edhe çfarë ka përjetuar në ditët e arrestimit Mamadi Camara apo dhe si do ta kapërcejë ai traumën, e cila për fat nuk zgjati shumë, por kurrsesi nuk mund të imagjinohet se ç’pasoja psikologjike do t’i lërë atij dhe familjes së tij.

Në fakt, të gjitha sa shkruajta më lart nuk ishin shkaku nxitës për këtë shënim. Nxitja më erdhi prej qëndrimit dhe deklaratave të kryepolicit të Montrealit Sylvain Caron. Ai e filloi ditën sot më një deklaratë qesharake dhe sipas tij, ngjarja e 28 Janarit, gjatë të cilës u çarmatos dhe plagos një polic me 20 vjet eksperiencë, ishte “një ngjarje me kompleksitet të jashtëzakonshëm”.

Mamadi Camara me bashkëshorten

Të qeshësh e të qash njëkohësisht kur dëgjon një broçkull të tillë, që lidhet me një incident të ndodhur gjatë një operacioni rutinë për kontroll ndaj shoferëve që përdorin celularin në timon. Vaj halli çfarë terminologjie do duhej përdorur nëse larg qoftë, qyteti do ishte pré e ndonjë akti të organizuar terrorist!? Sipas meje, shprehja “kompleksitet i jashtëzakonshëm” është krejt e papranueshme dhe e pajustifikueshme në këtë rast.

Për shkak të përvojës time profesionale, kam një ndjeshmëri të veçantë për organet e policisë si mbrojtësit kryesorë të qytetarëve dhe të shtetit nga krimi. Në gjithë botën janë më qindra mijëra policë që kanë dëshmuar heroizëm, përkushtim dhe profesionalizëm. Kurrë nuk mund ta harroj profesionalizmin e atij policit në Toronto, i cili para tre vitesh neutralizoi më një gjakftohtësi më shumë se të admirueshme një kriminel të çmendur, i cili për të vrarë 10 vetë përdori si armë një furgon në rrugën Young.

Ndjesia që më dha sot Sylvain Caron ishtë shumë larg këtij arsyetimi. Jo vetëm kaq, por në konferencën e shtypit, më një ton aspak modest, ku vështirë të ndahej revolta ndaj një gabimi të vartësve (gabim i papranuar prej tij) nga arroganca, ai vazhdoi më një broçkull tjetër duke deklaruar që në këtë çështje “policia ka vepruar me zell dhe me profesionalizëm”.

Sinqerisht nuk e di kush është kriteri i zellit dhe profesionalizmit për Sylvain Caron, i cili, në vend se të shprehej "do ti kërkojmë falje personit në kohën e përshtatshme", ndofta do ish dashur të gjente guximin të thoshte publikisht kërkojmë falje, kemi bërë një gabim, gabimi është njerëzor, nuk ka njerëz të pagabueshëm, do vlerësojmë ku kemi gabuar e do përpiqemi të evitojmë maksimalisht përsëritjen e gabimeve të tilla.

Mund të tingëllojnë si leksion i panevojshëm këto radhë, por gjithsesi kryepolici i Montrealit sot mu duk në ditë të hallit. Ishte reagim emocional apo i diktuar nga superiorët e tij, këtë nuk di ta them, por në një pikë jam dakord me Valérie Plante, ngjarje të tilla e lëkundin besimin e publikut te policia. Ndërkohë nuk pashë ende ndonjë reagim të kryeministrit Legault. Në fakt, kryeministri, që shpesh më duket si drejtor shkolle nxënësish problematikë, është shumë i zënë me listën e rregullave anti-COVID, listë të cilën e rishikon vazhdimisht dhe gati e ka kthyer në “ngriva-shkriva”…

©Taulant Dedja