Kanada

Si e përjetova në Halifax shpalljen e Pavarësisë së Kosovës - Nga Artan Abazi

  • Published in Kanada

17 Shkurt 2008, si sot 13 vite më kujtohet shumë mirë. Isha duke e përcjellur seancën solemne të Parlamentit të Kosovës kur deputetët shpallën deklaratën e pavarësisë. Nuk shkoi as një orë dhe i tërë komuniteti shqiptar në Halifax u grumbullua në sheshin qendror të qytetit, duke valvitur flamurin kombëtar dhe duke festuar. Fytyrat e bashkëatdhetarëve ishin të mbushura plot hare. Kënga dhe vallja nuk ndalej. Erdhën edhe gazetarë e TV lokale si CBC Radio e CTV News.

Më kujtohet që në ata momente dhashë edhe një intervistë për njerën nga ato media e pyetja ishte se çfarë mendoja unë për shpalljen e pavaresisë. Po ja shikojeni atmosferën - u përgjigja - shikojeni se si këta njerëz vallëzojnë, këndojnë. E kemi pritur këte ditë prej shumë dekadash - i shpjegova reporterit. Nuk ka moment më te lumtur se kjo ditë. Por jemi posaçërisht të lumtur që e kemi përkrahjen nga shteti mik kanadez dhe shpresoj që Kanadaja do jetë mes shteteve të para që do ta njohin Kosovën e pavarur, madje jam i sigurt për këte.

Nuk shkoi java dhe një gazetar proserb me emrin Scot, publikoi një artikull shumë antishqiptar dhe kundër pavaresisë së Kosovës. Mu desh të replikoj me të dhe në deklaratën time përgënjeshtruese iu drejtova me fjalët: “Mbaje në mend se Kanadaja do të na njohë   si shtet shumë shpejt!” Gazetari proserb me ironi ma ktheu: “Welcome to Canada”. Por nuk shkoi as një muaj dhe pikërisht më 18 Mars 2008 Kanadaja e njohu Kosoven si shtet i pavarur dhe vendosi marrëdhënie diplomatike të plota me të më 7 Prill 2009, ndërsa Ambasada e Kosovës u vendos në Ottawa në vitin 2015

Kanadaja e ka ndihmuar Kosoven edhe para njohjes së pavarësisë, duke qenë pjesë e ndërhyrjes së NATO më 1999, duke kontribuar në radhët e KFOR në rajonin e Drenasit apo dhe me strehimin e refugjatëve për të cilët dërgoi avionë të posaçëm ushtarakë në Shkup. Nga viti 1992, ndihma e Kanadasë për zhvillimin e Kosovës llogaritet në 135 milion dollarë kanadezë.

Halifax 17 Shkurt 2008

Lidhur me proserbin Scot, kam mësuar më pas që ai kishte marrë pjesë në protesta të organizuara nga komuniteti serb në Kanada apo që kish shkruar edhe shumë artikuj të tjerë kundër shqiptarëve dhe kundër bombardimeve të NATO-s. Duhet thënë që në atë kohë këtu në Kanada nuk kishte ndonjë lob të forte, siç ishte për shembull lobi shqiptar në Amerikë, ndaj dhe propaganda serbe mundohej të ndikonte mbi qeverinë Kanadeze, por Scot bashkë me proserbët e tjerë dështuan

Më vonë, mbasi mbarova studimet në gazetari, pata fatin të kryej praktikën në CBC News Nova Scotia si dhe në CTV News, në vitin 2013-2014. Në arkivat e këtyre dy televizioneve pata mundësi të njihem me shumë kronika që kishin raportuar shpalljen e pavaresisë. Sa herë që i shoh, ato më bëjnë krenar, ndaj dhe duhet t’i jemi përherë mirënjohës shtetit kanadez, për përkrahjen pa rezerva të shtetit më të ri europian në konsolidim, Republikës së Kosovës.

Sot Kosova është njohur prej 116 shteteve, duke filluar prej SHBA e deri së fundi nga Izraeli. Kosova edhe pse shtet i ri synon integrimin në BE dhe anëtarësimin në NATO. Që nga shpallja e pavarësisë Kosova ka patur probleme, por nuk duhen harruar edhe arritjet pozitive si për shembull, krijimi i ushtrisë dhe ndërtimi i infrastrukturës.

Zgjedhjet e fundit kanë përforcuar shpresën që qeveria e re dhe Presidentja e ardhshme, do të angazhohen seriozisht në luftën kundër kurrupsionit dhe në projekte për rritjen e punësimit dhe arsimimin e të rinjve. Sigurisht prioritet vazhdojë të jetë dhe përballja me pandeminë dhe vaksinimi anti-COVID i popullatës. Shpresoj dhe uroj që deri në 15 vjetorin e pavarësisë, Kosovën ta shohim një shtet edhe më të fortë demokratik dhe të integruar në BE, përherë në partneritet me aleatët tanë SHBA dhe me Kanadanë.

©Artan Abazi, freelance gazetar, Halifax-Nova Scotia