Trudeau dhe Joe Biden do takohen “tête-à-tête” më 23 Shkurt - Nga Taulant Dedja
- Published in Kanada
Taulant Dedja
Kohë të reja, kohë pandemie. Ja përse takimi i parë zyrtar “kokë më kokë” i Joe Biden me Justin Trudeau do të jetë virtual. Takimi do të zhvillohet të Martën 23 Shkurt. Është i pari dypalësh virtual në llojin e tij me nje homolog të një shteti partner për presidentin e ri të SHBA. Këtë javë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë në fakt e pat deklaruar që Joe Biden nuk e kishte në plan të takohej drejpërdrejt me udhëheqësit e huaj në këtë kohë për shkak të krizës së COVID-19.
Sipas një deklarate të qeverisë kanadeze, të dy udhëheqësit do të diskutojnë, ndër të tjera, për rimëkëmbjen ekonomike, mbështetjen e klasës së mesme dhe krijimin e vendeve të reja të punës, mbajtjen në nivel efikas të rrjetit të furnizimeve dypalëshe (Kanadaja blen nga SHBA, më shumë se ç’blejnë sëbashku Britania e Madhe, Japonia dhe Kina), ndryshimet klimatike, bashkëpunimin në sektorin e energjisë, të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe temat e promovimit të diversitetit social dhe gjithëpërfshirjes.
Pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga Ottawa zyrtare pas disa veprimeve me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë kanadeze të ndërmarra nga Presidenti Biden (modifikimi i Aktit “By American” dhe anulimi i lejes për projektin Keystone XL), takimi nuk pritet të sjellë ndonjë surprizë në ketë drejtim sepse tensionimi i momenteve të para është tejkaluar shpejt dhe gjasat janë që humbjet në një sektor të caktuar të kompensohen me përfitime në sektorë të tjerë.
Joe Biden është zotuar të shpenzojë 2 trilion dollarë për ta bërë më “të gjelbër” (më të pajtueshme me ambientin) ekonominë amerikane dhe ky plan gjigand për rinovimin e infrastrukturës së SHBA që është duke u finalizuar, mund të përfshijë gjithashtu klauzola të “By American”, por sipas burimeve zyrtare, Kanadaja kërkon të përfshihet si partner në këtë strategji dhe të përfitojë nga mundësitë e biznesit që këto shpenzime historike do të inkurajojnë në Jug të kufirit të saj.
Edhe pse takimi i parë kokë më kokë do të jetë virtual, formalisht ai rikthen traditën e disa presidentëve të mëparshëm të SHBA. Kështu, presidenti i fundit Demokrat, Barack Obama, pat zgjedhur Kanadanë për vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit në 2009, vizitë që gjeneroi një entuziazëm të jashtëzakonshëm në kryeqytetin federal. Edhe Ronald Reagan apo Bill Clinton, e patën zgjedhur gjithashtu Kanadanë si destinacionin e tyre të parë për udhëtime zyrtare pas marrjes së mandatit si presidentë të SHBA.
©Flasshqip.ca