Java kandeze - Lajme shkurt
- Published in Kanada
21 Shkurt 2021
Edmonton - Nga e mërkura 24 Shkurt, provinca Alberta do të fillojë vaksinimin e përgjithshëm të të gjithë të moshuarve në territorin e saj. Cilido qytetar në moshën 75 vjeç, do ketë mundësinë përmes telefonit të caktojë ditën e vaksinimit, gjithmonë duke respektuar radhën sipas kohëmbërritjes së telefonatës. Ndërkohë, sipas Kryeministrit Jason Kenney, të gjithë të moshuarit që jetojnë në rezidencat e posaçme i kanë marrë të dy dozat dhe konsiderohen të imunizuar. Në Prill gjithashtu do fillojë vaksinimi i personave 65 vjeç e lart.
Halifax - Kanadaja ka kohë që po përgatitet për prodhimin e 15 anijeve të reja luftarake të tipit Fregatë në vend (model britanik i njohur me emrin Tip-26), por sipas Ministrisë së Mbrojtes, prodhimi i të parës nuk do të jetë gati para vitit 2031. Projekti do të realizohet në Kantjerin Detar Irving, në Halifax të Nova Scotia. Si fillim në vitin 2024 do të jetë gati për të filluar prerjet marka speciale e çelikut që do të përdoret për konstruksionin e anijeve. Modeli kanadez i fregatës do ketë dy sistëme mbrojtëse armatimi, armatim për mbrojtje nga sulmet ajrore dhe armatim për mbrojtje nga nëndetëset.
Fregata Tip-26
Montréal - Kisha Katolike vazhdon udhën e saj të kryqit për çlirimin nga demoni i abuzimeve seksuale që e kanë njollosur rëndë reputacionin e saj vitet e fundit. Në këtë optikë, të hënën e kaluar Arqipeshkëvia Katolike e Montréal, përmes Kryepeshkopit Christian Lépine njoftoi se ka mandatuar ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, tashmë në pension, André Denis, për hartimin e një raporti të detajuar. Së pari ai do të qëmtojë e listojë çdo indicie lidhur me abuzime seksuale ndaj minorenëve apo personave në vështirësi, nga klerikë në pension apo ende në detyrë brenda territorit administrativ të Arqipeshkëvisë Montréal. Së dyti, ish-gjyqtari Denis do ushtrojë dhe një verifikim të plotë rreth ketyre akteve të ndodhura në periudhën 1940-2020. Ndërkohë ky i fundit e ka nisur punën qysh në Dhjetor 2020 dhe parashikohet që ta dorëzojë raportin gjatë verës së këtij viti, raport i cili do të bëhet publik. Ky do të jetë raporti i dytë pas atij të ish-gjyqtares Pepita G. Capriolo, si rezultat i të cilit në Mars 2019 u dënua me 8 vjet burg ish-kleriku Brian Boucher me akuzën për abuzime seksuale ndaj minorenëve.
Christian Lépine, Kryepeshkopi i Montréal
Ottawa - Blloku i Québec ka depozituar në Parlamentin Federal (Dhomën e Komunave) një projekt-ligj për shpërblimin financiar simbolik me pagë një (1) dollar në vit të Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë. "Funksioni simbolik, meriton shpërblim simbolik", është shprehur deputeti Rhéal Fortin, zëdhëdhënës për çështjet që i takojnë The Privy Council Office. Propozimi vjen pas skandalit që provokoi largimin e kamufluar me dorëheqje të ish-Guvernatores së Përgjithshme, Julie Payette, e cila do përfitojë pension të përjetshëm 150 mijë dollarë në vit, ndërkohë që paga vjetore për funksionin është 270 mijë dollarë në vit. A është i justifikueshëm ky shpenzim në sytë e taksapaguesve kanadezë (pa folur pë buxhetin total vjetor të administratës së Guvernatorit të Përgjithshëm) për një funksion totalisht honorifik? Ky funksion derivon prej faktit që Kanadaja ështe monarki kushtetuese dhe Guvernatori i Përgjithshëm është mëkëmbësi i Mbretëreshës së Anglisë.
Deputeti federal nga Québec Rhéal Fortin
Victoria - Provinca e Paqësorit British Columbia po synon të bëhet organizatorja e disa manifestimeve sportive të rëndësishme gjatë viteve të ardhshme, një mënyrë kjo për ringritjen ekonomike post-pandemi. Ndër këto përmenden Lojërat Invictus, Lojërat e Komonuelthit, por pse jo edhe Lojërat Olimpike Dimërore. Sipas kryeministrit të British Columbia, John Horgan, synimi është që në vitin 2026 në Victoria dhe Vancouver të organizohen Lojërat e Komonuelthit, të cilat patën qënë zhvilluar me shumë sukses në këtë provincë edhe në vitin 1994. Promotori kryesor i kësaj ideje është biznesmeni i njohur nga Victoria, David Black, i cili në një editorial të publikuar në të përditshmen "Vancouver Sun", ka afirmuar që organizimi i Lojërave të Komonuelthit më 2026 do të jetë një oportunitet shumë i mirë për mbështetjen e ndërmarrjeve lokale dhe turizmit lokal në British Columbia.
Mbretëresha Elisabeth II në Victoria BC, 1994
Regina - Shkencëtari i kërkimit planetar Tim Haltigin, me origjinë nga Canora e Saskatchewan, është një nga ekspertët e Agjencisë Kanadeze të Hapësires, pjesë e ekipit që drejton udhëtimin e sondës hapësinore "Perseverance" që u ul me sukses në planetin Mars ditën e enjte dhe pritet të kthehet në Tokë duke sjellë me vete edhe disa monstra nga dheu marsian.
Tim Haltigin dhe sonda hapësinore "Perseverance" në Planetin Mars
Toronto - Për shkak të vonesave në furnizim me doza, provinca e Ontarios u detyrua të rishikojë planin e vaksinimit. Prioriteti i është dhënë të moshuarve 80 vjeç e lart të cilët sipas Kryeministrit Doug Ford do të vaksinohen brenda muajit Mars, ndërsa punonjësit e vijës ë parë dhe ata të shërbimeve esenciale në industrinë agro-ushqimore do duhet të presin muajin Prill. Ndërkohë të moshuarit që jetojnë në rezidenca e kanë marrë dozën e parë ndërsa imunizimi i personelit shëndetësor është në proces.
Kryeminstri Doug Ford dhe gjenerali Rick Hillier
Charlottetown - Kronometri ka startuar tashmë për organizatorët e Lojërave Dimërore Kanadeze që do të zhvillohen në provincën Prince Edward Island nga18 Shkurti deri më 5 Mars 2023 dhe ku pritet të marrin pjesë rreth 3600 sportistë dhe trajnerë nga i gjithë vendi. Të enjten që kaloi, fiks dy vite para datës së ceremonisë së hapjes, organizatorët kanë paraqitur dhe logon e aktivitetit. Zëvendëspresidentja e Komitetit Organizator, Jeanette Arsenault ka deklaruar që tashmë ka filluar edhe procesi i rekrutimit të rreth 5000 vullnetarëve që do të angazhohen për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm pankanadez. Në menyrë të veçantë ajo ka theksuar që të gjitha seksionet e lojërave do të kenë nevojë për vullnetarë që i zotërojnë te dy gjuhët zyrtare.
Jeannette Arsenault
©Flasshqip.ca