Kanada

Toronto - Autori i masakrës me furgon në vitin 2018 dënohet me burgim të përjetshëm

  • Published in Kanada

Alek Minassian ka qenë krejtësisht i ndërgjegjshëm për aktin e tij gjatë masakrës që kreu me furgon, duke shkaktuar 10 të vdekur dhe 16 të plagosur në rrugën Yonge të Torontos në vitin 2018. Kështu ka vendosur Gjykata e Lartë e Ontarios duke i dhënë të drejtë akuzës dhe duke hedhur poshtë pretendimin e avokatit mbrojtës që kërkonte shpalljen si të papërgjegjshëm penalisht të klientit të tij.

Minassian është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata, pa të drejtë lirimi me kusht pa kaluar një periudhë 25 vjeçare. Rasti në fjalë është i pari në rang Kanadaje ku autizmi është ngritur si argument për të shmangur përgjegjësinë penale. Kësisoj, të afërmit e viktimave, janë ndjerë disi të ngushëlluar dhe të lehtësuar nga dënimi i fajtorit prej drejtësisë.

Në vendimin e saj, gjykatësja Anne Molloy edhe pse ka pranuar që autizmi mund të konsiderohet një sëmundje mendore në sensin e nenit 16 të Kodit Penal, duke gjykuar rastin konkret ka pohuar që kriteret nuk përmbushen, sepse 28 vjeçari e dinte se çfarë krimi po kryente, e dinte që veprimi i tij do shkaktonte viktima dhe që për pasojë do merrtë dhe dënimin përkatës me burgim. Ai vetë e pat pranuar krimin pasi u arrestua dhe u mor në pyetje nga policia natën e parë pas aktit të tij vrastar.

Sipas gjykatëses, bazuar në provat e hetimit, sulmi ka qenë i paramenduar prej kohësh. Për këtë qëllim autori pat marrë një furgon me qira, madje sipas pohimeve të tij, e kishte menduar paraprakisht që edhe mund të vritej nga policia. Magjistratja që ka gjykuar dhe dënuar Alek Minassian i është referuar gjithashtu disa pohimeve që ka bërë ky i fundit, i marrë në pyetje në paraburgim prej psikiatërve, të cilëve u pat pohuar që përmes aktit të tij synonte famën dhe që sipas tij, turpi është më i mirë se anonimati dhe vdekja me e mirë se burgu.

©Flasshqip.ca