Kanada

Quebéc - Homazh për ata që humbën jetën nga COVID-19 gjatë një viti

  • Published in Kanada

Në hapësirën para godinës së Asamblesë Kombëtare (parlamenti provincial) qeveria e Québec organizoi dje një ceremoni homazhi në respekt të atyre mijëra qytetarëve të cilët humbën jetën për shkakt të pandemisë, por edhe në respekt të punës në kushte sakrifice e vështirësie të jashtëzakonshme të personelit të kujdesit shëndetësor.

Në ceremoni ishin të pranishëm Kryeministri François Legault i shoqëruar nga bashkëshortja, zyrtarë shtetërore dhe personalitete të jetës publikë, punonjës të rrjetit shëndetësor por edhe anëtarë të familjeve që humbën gjatë kësaj periudhe të pazakontë njerëzit e tyre më të dashur,

Përkujtimi solemn u planifikua të zhvillohet fiks një vit pas njoftimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që shpalli gjendjen e pandemisë së Koronavirusit në gjithë botën.

Në një fjalim të shkurtër prej 3 minutash, Kryeministri Legault kujtoi faktin që në Québec gjatë një viti humbën jetën më shumë se 10,500 qytetarë gati gjysma e të cilëve jetonin në qendra kujdesi për të moshuarit dhe kjo është shifra më e lartë krahasuar me gjithë pjesën tjetër të vendit. Deri më sot Kanadaja numëron mbi 22,000 viktima për shkak të pandemisë COVID-19.

Legault ka shprehur admirimin e tij për të gjithë qytetarët që po përballojnë një sfidë të pazakontë me shumë durim por edhe për të gjithë ata që nuk kanë rreshtur së ofruari shërbimet thelbësore në sektorët përkatës në momentet më të vështira të pandemisë.

Në orën 13:00, menjëherë pas fjalimit të François Legault, të gjithë qytetarët e provincës u ftuan të mbajnë një minutë heshtje. Në orën 13:02 kumbuan kudo të gjitha këmbanat e kishave. Trenat e shërbimit metro në Montréal e ndërprenë për një minutë lëvizjen ndërsa flamujt e Quebéc gjatë gjithë ditës ishin në gjysmë shtizë në godinën e Asamblenë Kombëtare si dhe në të gjitha ndërtesat shtetërore provinciale dhe ato të bashkive.

©Flasshqip.ca

Foto: Radio Canada/Sylvain Roy Roussel