Kanadaja vendos sanksione ndaj Rusisë
- Published in Kanada
Ministri i Jashtëm Marc Garneau ka njoftuar sot sanksionet e vendosura nga qeveria kanadeze ndaj nëntë zyrtarë rusë, në përgjigje të veprimeve që u cilësuan prej tij si shkelje të të drejtave të njeriut të kryera nga Kremlini. Masat ndjekin shembullin e tre javëve më parë kur sanksione të ngjashme ndërmorën dhe SHBA e BE.
Në listë përfshihen dy funksionarë të lartë nga stafi i Presidentit Vladimir Putin, si dhe shefi i Shërbimit të Sigurisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i sistemit të burgjeve të Rusisë. Sanksionet u ndalojnë atyre hyrjen në Kanada si dhe te drejtën për të bashkëpunuar në biznes me shtetas kanadezë. Sipas Agjencisë Shtetërore Ruse të lajmeve, “Rusia do t'i përgjigjet këtyre sanksioneve të paligjshme”.
Ministri i Jashtëm Marc Garneau
Deklarata e Global Affairs Canada iu referua në veçanti përpjekjeve për eliminimin e kundërshtarit politik të Vladimir Putinit, Aleksej Navalni, izolimit dhe ndjekjes penale ndaj tij si dhe masave të dhunshme ndaj qytetarëve rusë që protestojnë në mbrojtje të Navalnit. Aktualisht ky i fundit po vuan dënimin me më shumë se dy vjet burg, pas një procesi rrufé të zhvilluar muajin e kaluar.
Alexei Navalny në Gjykatën e Moskës, 20 Shkurt 2021
Sot kanë pasuar dhe disa deklarata të Kryeministrit Justin Trudeau në adresë të Presidentit rus. Gjatë një interviste me kanalin “Sirius XM”, Trudeau, që zakonisht njihet si i kujdesshëm në deklaratat ndaj homologëve, nuk është kursyer aspak kur ka pohuar se “Putin është përgjegjës për shumë gjëra të tmerrshme” duke kujtuar sulmin ndaj Krimesë, sulmet masive kibernetike apo përpjekjet për të destabilizuar demokracitë perëndimore. Sidoqoftë, ai nuk shkoi aq larg sa ta etiketonte presidentin rus si “vrasës”, ashtu siç deklaroi Joe Biden javën e kaluar në një intervistë për kanalin televiziv “ABC”. Trudeau u shpreh që nuk disponon informacionin e mjaftueshëm pë ta cilësuar Putinin të tillë
Duke evokuar faktin që ai e ka takuar disa herë Presidentin rus qysh nga viti 2015, Trudeau theksoi që Putin “nuk është as mik dhe as mbështetës i Kanadasë, ndaj dhe qasja ndaj tij duhet të jetë e qartë dhe largpamëse”.
Foto: La Presse Canadienne/Sean Kilpatrick, Reuters