Kanada

OKB i bën thirrje Kanadasë të riatdhesojë shtetasit e vet të burgosur në Siri

  • Published in Kanada

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Gutteres ka deklaruar se është "absolutisht e domosdoshme" që vende si Kanadaja të riatdhesojnë shtetasit e tyre aktualisht të mbajtur në kampet e të burgosurve në Siri. Në një intervistë ekskluzive me CBC, numri një i OKB pohoi se dyshimet rreth lidhjeve të mundshme mes këtyre kanadezëve dhe grupit të armatosur Shteti Islamik nuk janë një arsye e mjaftueshme që ata të vazhdojnë të qëndrojnë akoma në Siri.

Ai gjithashtu pranoi se e kupton preokupimin rreth çështjes së sigurisë nga vende si Kanadaja, por beson se problematika është e përballueshme. “Sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë dhe gra, besoj se është absolutisht e domosdoshme që kjo kategori të ketë mundësinë të kthehet në shtëpi” deklaroi Antonio Gutteres i cili kujtoi që Kombet e Bashkuara ka kohë që bashkëpunojnë me disa qeveri për të riatdhesimin e shtetasve të tyre që ndodhen në zona konfliktesh.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres

Ndërkohë Global Affairs Canada pohon që është në dijeni për shtetasit kanadezë që mbahen nga autoritetet kurde në Verilindje të Sirisë dhe shpreh veçanërisht shqetësimin për rastet e fëmijëve kanadezë në rajon. Po kështu, sipas Radio-Canada, para tre javësh, ka qenë avokati i të drejtave të njeriut Paul Champ i cili informoi anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit mbi faktin që mes të burgosurve në kampet Al-Hol dhe Al-Roj në Siri ndodhen 25 fëmijë kanadezë. Ai gjithashtu konfirmoi se Kombet e Bashkuara disponojnë të dhëna të besueshme se shumë fëmijë në kampet e burgjeve siriane vdesin nga kequshqyerja, dehidratimi, diarreja dhe hipoglicemia.

Kampi Al Hol i kontrolluar nga luftëtarë kurdë në territorin sirian

Në ragim ndaj deklarimeve të shefit të OKB, Global Affairs Canada shprehet se për shkak të situatës së sigurisë në terren, aftësia e shtetit kanadez për të ofruar çdo formë të ndihmës konsullore në Siri mbetet jashtëzakonisht e kufizuar, por sipas burimeve mediatike, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë qenë në gjendje deri më sot të ofrojnë ndihmë konsullore për shtetasit e tyre në atë rajon. Ndërkohë, sipas informacioneve që zotëron dikasteri kanadez i Sigurisë Publike, rreth 190 ekstremistë shtetas kanadezë aktualisht ndodhen jashtë vendit, gjysma e të cilëve kanë vizituar Turqinë, Sirinë dhe Irakun, ndërsa deri tani 60 persona që kanë marrë pjesë në luftime janë rikthyer në Kanada.

Foto: Getty Images/Cristina Cuiqler; Reuters/Umit Bektas/Ali Hashisho;