Kanadaja dhe Quebéc kritikohen në raportin vjetor të Amnesty International
- Published in Kanada
Siç ka raportuar The Canadian Press, në raportin e fundit vjetor rreth 500 faqe të Amnesty International për vitin 2020, publikuar sot dhe ku bëhet një përmbledhje e situatës në 149 shtete të botës, ndër të tjera kritikohet edhe bilanci i Kanadasë në rrafshin e marrëdhënieve me popujt autoktonë dhe të drejtave të pakicave. Në shënjestër të kritikave eshtë vënë veçanërisht provinca e Québec-ut.
Për temën e marrëdhënieve me autoktonët është cituar tekstualisht skandali i bujshëm i ndodhur në Spitalin e Joliette (qytet në Québec). Gruaja me origjinë Atikamkw nga Manawan, Joyce Echaquan, e filmoi veten në shtratin e spitalit pak para ndarjes nga jeta dhe e shpërndau më pas videon në rrjetin social Facebook. Në video dëgjoheshin qartë fyerjet skandaloze në adresë të saj nga ana e dy infermiereve të spitalit. Raporti i AI nënvizon faktin që pas kësaj ndodhie fatkeqe, u konstatua një mobilizim i përgjithshëm kundër racizmit, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë.
Amnesty International i është kundërvënë gjithashtu Ligjit për Laicitetin e Shtetit që u miratua nga qeveria e François Legault në Québec. “Fakti që qeveria ndalon mbajtjen e disa simboleve fetare nga persona zyrtarë apo punonjës të shtetit, krijon shqetësime në rrafshin e barazisë gjinore, diskriminimit, lirisë së besimit dhe lirisë së shprehjes”, shkruhet në raportin e publikuar sot.
Në faqet kushtuar Kanadasë, kritika janë adresuar edhe ndaj mënyrës së menaxhimit të pandemisë COVID-19 dhe masave jo adekuate sa i takon disa shtresave të caktuara të popullsisë dhe nevojave të tyre specifike. Këtu sërish citohen autoktonët, komuniteti “black” apo grupe të tjera të racizuara, gratë, të moshuarit, punonjëset e seksit, azilkërkuesit dhe punëtorët emigrantë sezonalë. Po kështu theksohet që qeveria kanadeze nuk iu përgjigj kërkesës së 300 organizatave dhe specialistëve të të drejtave të njeriut për një monitorim më nga afër të realitetit gjatë periudhës së pandemisë.
Në vlerësimin e përgjithshëm në rang botëror, Amnesty International ka shprehur shqetësimin se pandemia u përdor shpesh si pretekst për të shkelur të drejtat e njeriut. Autoritetet ndëshkuan ata që kritikuan politikat zyrtare për luftën ndaj COVID-19, denoncuan abuzimet me të drejtat e njeriut në kontekstin e pandemisë ose kritikuan qeveritë, veçanërisht në Afrikën e Veriut, Azi dhe në Lindjen e Mesme.
Ndërsa në Evropë, sipas AI, qeveritë shpesh e përzjenë krizën shëndetësore me çështje të sigurisë kombëtare, duke miratuar me ngut dispozita që synonin garantimin ose forcimin e kapaciteteve të tyre të mbikëqyrjes.
Foto kryesore: Radio-Canada/Ivanoh Demers