Kanada

Avokati Edison Heba emërohet Konsull Nderi i Shqipërisë në British Columbia

  • Published in Kanada

Para pak ditësh, sipas konfirmimit të marrë edhe nga zyra e protokollit përkatës, është hapur për herë të parë në British Columbia, provinca e ekstremit perëndimor të Kanadasë, zyra konsullore e Republikës së Shqipërisë me përfaqësues avokatin Edison Heba, i cili është emëruar në rolin e konsullit të nderit. Përfaqësues të tillë ka patur më parë edhe në Toronto dhe Montréal. Mandatet e konsujve të mëparshëm të nderit në këto dy metropole nuk janë rinovuar vitet e fundit, por sipas burimeve të besueshme, së shpejti priten edhe aty emërimet e reja përkatëse nga dikasteri i diplomacisë shqiptare.

Edison Heba me origjinë nga Durrësi, është një emër i njohur i sektorit shqiptar të drejtësisë, me një karrierë të spikatur në fushën penale e administrative. Ai ka kryer fillimisht studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1986. Në mënyrë të veçantë, në periudhën1993-1997, kohë kur ka punuar në Drejtorinë e Studimeve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Prokurorisë së Përgjithshme, ai ka dhënë kontributin e tij në fushën e reformimit të legjislacionit shqiptar dhe të institucioneve të drejtësisë, përmes angazhimin me grupet e punës për rishkruarjen e Kodit Penal, Ligjit për Shkollën e Magjistraturës, Ligjit për Organizimin Gjyqësor, etj.

Pasi përfundoi studimet pasuniversitare në “The Dickinson School of Law” në Pennsylvania në vitin 1997, ai u angazhua në zyrën e njohur private të avokatisë Boga&Associates në Tiranë. Më pas emigroi familjarisht në Kanada dhe u vendos në provincën e British Columbia. Aty kreu nga e para studimet në Drejtësi në UBC Faculty of Law në Vancouver në vitin 2003. Prej asaj kohe, Heba hapi zyrën e tij private dhe ka ushtruar me shumë sukses profesionin e avokatit. Njëkohësisht ai njihet edhe si ndër kontribuesit më aktivë në gjirin e shoqatës së komuniteti shqiptar në British Columbia.

Konsulli i nderit është një detyrë që ushtrohet vullnetarisht. Konsulli i Nderit, megjithëse vullnetar, është një funksionar konsullor nderi dhe si rrjedhim është pjesë e shërbimit konsullor të Republikës së Shqipërisë. Emërimi i tij bëhet me urdhër të Ministrit të Punëve të Jashtme.

Konsulli i Nderit është përfaqësues zyrtar i një shteti në territorin e një shteti tjetër, që vepron për të ndihmuar dhe mbrojtur qytetarët e vendit dërgues dhe për të lehtësuar shkëmbimet në fusha si ekonomia dhe kultura. Përfshirë dhe Kanadanë, Republika e Shqipërisë ka emëruar deri më sot konsuj nderi në gjithsej 50 shtete me të cilat mban marrëdhënie diplomatike. Në një kohë të dytë, Flasshqip.ca do të zhvillojë një bisedë të drejtpëdrejtë me z. Edison Heba, për të folur më konkretisht mbi objektivat e tij në këtë sfidë të re profesionale.

©Flasshqip.ca