Kanada

COVID-19, gjysma e popullsisë kanadeze tashmë e vaksinuar me dozën e parë

  • Published in Kanada

Sipas raportimit të autoriteteve shëndetësore kanadeze, sot u arrit shifra 50% e vaksinimit me dozën e parë të qytetarëve në shkallë vendi. Edhe pse tejkalimi i këtij pragu duket inkurajues dhe nxit optimizmin, një pjesë e ekspertëve të sëmundjeve infektive dhe epidemiologjisë mëndojnë se kjo është ende e pamjaftueshme për reduktimin masiv të kufizimeve të vendosura.

Raywat Deonandan, epidemiolog në Universitetin e Ottawa, i ka deklaruar The Canadian Press se fakti i rënies së numrit të rasteve, vdekjeve dhe shtrimeve në spital në pjesën më të madhe të Kanadasë lidhet direkt me përparimin e fushatës së vaksinimit.

Pas një fillimi të ngadaltë në Prill, procesi i vaksinimit pësoi një rritje të vrullshme gjatë Majit dhe vetëm javën e kaluar, mesatarisht çdo ditë në të gjithë vendin janë administruar më shumë se 370,000 doza.

Duket se shumica e kanadezëve janë në favor të vaksinimit dhe madje disa syresh, pritën për shumë orë t’u vinte radha jashtë klinikave të përkohshme të vaksinimit pavarësisht motit të keq në disa rajone.

Kjo do të thotë që njerëzit kanë padurim për kapërcimin e kësaj situate ndaj dhe kontribuojnë në daljen prej saj, ka pohuar epidemiologu Deonandan. Sipas Radio-Canada, të njejtin optimizëm kanë shprehur edhe ekspertë të tjerë që vazhdojnë të monitorojnë të dhënat e pandemisë. Megjithatë, një pjesë e tyre, duke kujtuar se gjysma e popullsisë nuk është akoma e vaksinuar, vazhdojnë të bëjnë thirrje që dalja nga situata e masave kufizuese duhet bërë me shumë kujdes dhe gradualisht.

Sipas Health Canada, përpara reduktimit të ndjeshëm të masave kufizuese do të duhet që të paktën 75% e kanadezëve 12 vjeç e lart të kenë marrë një dozë dhe 20% t’i kenë marrë të dy dozat. Ndërkohë shifra e qytetarëve që kanë marrë dy doza është afërsisht 5%.

©Flasshqip.ca