Kanada

Trudeau u kërkon falje italo-kanadezëve që u trajtuan si armiq gjatë Luftës së Dytë Botërore

  • Published in Kanada

“Noi ci scusiamo”! “Ne ju kërkojme falje”! Me këto fjalë, Kryeministri Kanadez Justin Trudeau, dje në Dhomën e Komunave u ka kërkuar falje publike në emër të Kanadasë familjeve dhe pasardhësve të më shumë se 30,000 italo-kanadezëve të shpallur dhe të trajtuar si armiq të shtetit nga qeveria gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë fjalës së tij, e cila përloti dhe Kryetarin e Parlamentit, Trudeau evokoi historinë e italo-kanadezit Giuseppe Visocchi, që u arrestua në 1940 gjatë një ceremonie martese në Rrugën Dante në Montreal, duke vënë theksin tek dëmi që iu shkaktua komunitetit Italian në përgjithësi, në një periudhë që ai e cilësoi “të errët për historinë e Kanadasë”.

Italianët e deklaruar pa gjyq armiq të Kanadasë u internuan në Petawawa, Kanaskakis, Kingston apo Fredericton. Kjo politikë internimi ishte e padrejtë, deklaroi Justin Trudeau, duke nënvizuar që për disa internimi zgjati me muaj, ndërsa për të tjerë me vite dhe shkaktoi në çdo rast vuajtje të cilat ata dhe të afërmit e tyre i kanë ndjerë gjatë gjithë jetës. Për Giuseppe Visocchi-n, internimi zgjati dy vjet. “Dy vjet gjatë të cilave shtatë fëmijët e tij kishin nevojë për babanë e tyre. Dy vjet gjatë të cilave gruaja e tij nuk e dinte se si mund t'i ushqente dhe strehonte ata. Dy vjet gjatë të cilave kjo nënë e vetme mbijetoi pa të ardhura dhe në pamundësi t’u kërkonte ndihmë anëtarëve të tjerë të familjes nga frika e raprezaljeve”, theksoi kreu i qeverisë kanadeze.

Duke pohuar që lufta kundër Italisë dhe fuqive të Boshtit ishte e justifikuar, me plot gojën Kryeministri Trudeau ka pranuar që trajtimi që iu bë italo-kanadezëve ishte krejtësisht i papranueshëm, sepse nga një anë kanadezëve në përgjithësi iu kërkua të angazhoheshin me kontributin e tyre në luftë apo në mbështetje të saj, ndërsa nga ana tjetër disa u konsideruan si armiq pa kryer asnjë krim. Trudeau e mbylli fjalën e tij duke falënderuar të gjithë italo-kanadezët për kontributin e tyre në shoqërinë kanadeze. “Ju, italo-kanadezët e kudondodhur në komunitetet tona, nga St. John në Vancouver, nga Montreali në Veriun e Largët, ju na kujtoni se diversiteti do të jetë gjithmonë forca jonë”, tha ai.

©Flasshqip.ca