Kanada

OKB i kërkon Kanadasë të hetojë deri në fund mbi vendvarrimet e fëmijëve autoktonë

  • Published in Kanada

Organizata e Kombeve e Bashkuara i ka bërë dje thirrje autoriteteve kanadeze të kryejnë hetime “të shpejta dhe gjithëpërfshirëse” mbi vdekjet e fëmijëve autoktonë dhe “të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të gjetur fëmijët e zhdukur”, përmes verifikimeve në vendvarrimet e padokumentuara.

“Zbulimi i eshtrave të 215 fëmijëve autoktonë pranë një shkolle rezidenciale në Kamloops të British Columbia, ishte një fakt tejet tronditës që rihapi një plagë të dhimbshme”, ka komentuar zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB për të Drejtat e Njeriut, Marta Hurtado. “Ne i kërkojmë qeverisë kanadeze të kryejë ekspertiza mjeko-ligjore në mënyrë që mbetjet njerëzore të mund të identifikohen. Pa një ekspertizë të tillë, shërimi i kësaj plage do jetë i pamundur”, ka pohuar ajo.

Bazuar vetëm në statistikat zyrtare të derisotme, rezulton se mbi 4100 fëmijë kanë vdekur në shkollat ​​rezidenciale, ndërsa shumë të tjerë nuk janë identifikuar ose janë zhdukur. Këto të dhëna figurojnë në raportin e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, komision që ka studiuar më shumë se 5 milion dosje të vëna në dispozicion nga qeveria federale.

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB i bëri gjithashtu thirrje qeverisë kanadeze të zbatojë rekomandimin e këtij raporti që propozon krijimin e një entiteti juridik për ruajtjen dhe menaxhimin e vendvarrimeve, entitet i përbërë nga përfaqësues të qeverisë dhe popullatave autoktone. Nga ana tjetër, OKB vë theksin gjithashtu të dhënia e kompensimeve të duhura, ndjesa zyrtare publike, ngritja e memorialeve përkatëse si dhe ofrimi i shërbimeve të rehabilitimit. Këto sipas saj, janë gurët e themelit të pajtimit.

Deklarata e OKB i bashkohet thirrjes së shumë qytetarëve kanadezë të cilët kërkojnë kryerjen e verifikimeve dhe gërmimeve në 138 shkolla të tjera rezidenciale që ishin ende në aktivitet deri në vitin 1990. Deri tani qeveritë provinciale në Alberta, Québec dhe Ontario kanë deklaruar se do mbështesin financiarisht këtë proces.

©Flasshqip.ca