Kanada

Arrestohet në Manitoba ish-ministri i Jashtëm kanadez Maxime Bernier

  • Published in Kanada

Pas një manifestimi kundër masave izoluese në situatën e pandemisë të zhvilluar në Saint-Pierre-Jolys të provincës Manitoba, Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) ka arrestuar sot ish-ministrin e Jashtëm Kanadez dhe aktualisht kryetar i Partisë Popullore të Kanadasë, Maxime Bernier. Në fund të fjalimit që ai mbajti para dhjetra simpatizantëve të tij, ku ndër të tjera denoncoi rregullat e vendosura nga autoritetet shëndetësore, Bernier u shtrëngoi dorën pjesëmarrësve për t’u përshëndetur pa mbajtur maskë. Pas këtij momenti, ka ndërhyrë menjëherë policia që e ka ndaluar atë dhe e ka shoqëruar brenda njërit prej automjeteve të saj.

Ka qenë një reporter i CBC që mbulonte zhvillimin e manifestimit, i cili më pas ka mundur të filmojë momentin e arrestimit të Maxime Bernier. Ky i fundit shihet i ulur dhe i prangosur në një fuoristradë të RCMP teksa një oficer policie komunikon me të. Më pak se një orë para arrestimit të tij, Bernier kishte publikuar në Twitter një video që tregonte se ai ishte gjobitur me 1,296 dollarë.

Në një intervistë dhënë Radio-Kanada para arrestimit, Maxime Bernier i ka cilësuar urdhëresat shëndetësore në Manitoba si masa “drakoniane” dhe ka deklaruar se ai do ta kontestonte gjobën e marrë, nëse do të jetë nevoja deri në Gjykatën e Lartë. Ai gjithashtu pranoi se nuk kish bërë karantinë pas mbërritjes në Manitoba, në kundërshtim më rregullat ende në fuqi në këtë provincë. Bernier pohoi që e kish marrë gjobën pas një manisfestim në Niverville dhe se ishte paralajmëruar nga policia që rrezikonte të arrestohej nëse merrte pjesë në manifestime të tjera.

Sipas një zëdhënësi të RCMP, ish-ministri i Jashtëm akuzohet për pjesëmarrje në manifestim në një vend të hapur publik dhe për mosizolim pas mbërritjes në provincë. Zëdhënësi shtoi se Maxime Bernier do t’i duhet të paraqitet para një gjykatësi. Ndërkohë, nga një postim në faqen e tij në Facebook mësohet se nga 11 deri në 13 Qershor, Kryetari i Partisë Popullore të Kanadasë do vizitonte disa qendra të banuara në zonën Juglindore të Manitoba-s si dhe Winnipeg-un, si pjesë e një turneu të quajtur Mad Max Manitoba Tour.

Nga ana e tij, Kryeministri i Manitobas Brian Pallister ka deklaruar sot që mosbindja e Maxime Bernier ndaj rregullave të provincës vetëm se do rëndojë mbi financat e këtij të fundit.

Maxime Bernier, 57 vjeç dhe me profesion avokat, është me origjinë nga Beauce et Québec-ut, zonë të cilën e ka përfaqësuar si deputet federal nga 2006 deri më 2019. Bernier ka qenë disa herë pjesë e kabinetit të Kryeministrit Konservator Stephen Harper, ku ndër të tjera ka mbajtur postet e ministrit të Industrisë dhe atë të ministrit të Jashtëm.

Në vitin 2017, ai humbi vetëm për pak vota në garën për kreun e Partisë Konservatore Kanadeze përballë Andrew Scheer. Një vit më vonë, për shkak të mosmarrëveshjeve me këtë të fundit, Bernier largohet nga Konservatorët dhe krijon Partinë Popullore Kanadeze të cilën e drejton prej 14 Shtatorit 2018. Në zgjedhjet e vitit 2019, partia e tij, nën sloganin “Të fortë dhe të lirë”, me vetëm 294,092 vota, nuk fitoi asnjë vend në Dhomën e Komunave.

©Flasshqip.ca