Kanada

Tragjedia në London: Multikulturalizmi farsë politike apo synim real? - Nga Fazli Mazreku

  • Published in Kanada

Fazli Mazreku - London, Ontario

Vrasja e familjes muslimane në London të Ontarios i ka tronditur të gjithë londonianët, sepse sulmi është konsideruar si i paramenduar, e për më tepër, është kryer nga një   person i moshës së re (një njezetvjeçar). Ka patur reagime të qytetarëve dhe të autoriteteve lokale, provinciale dhe federale. Madje, autoritetet policore, pa hamendësim e kanë vlerësuar si akt kriminal, terrorist, të urrejtjes në baza fetare, edhe pse akoma nuk ka ndonjë vendim gjyqësor për këtë ngjarje makabre.

Këtë ngjarje, unë personalisht e vlerësoj si akt të shëmtuar, por jo të izoluar, sepse kudo nëpër botë kemi raste të vrasjeve të tilla, me motive racore, ideologjike apo fetare. Kjo ngjarje pa dyshim do të lerë gjurmë të pashlyera në shoqërinë kanadeze dhe pa dyshim mund të jetë edhe motivim për pjesën ekstreme të saj, që të ndërmarrë aksione të ngjashme kundër grupeve të caktuara shoqerore.

Pse ka ndodhur? Kjo është pyetje për një milion dollarë, kur merret parasysh fakti se multikulturalizmi kanadez është më tepër farsë politike e nevojës imediate për imigrantë të rinj (për popullimin e territoreve të papopulluara dhe reduktimin e mplakjes së shoqërisë kanadeze) se sa synim real për multikulturalizëm.

Këtë e dëshmon dhe gjetja e fundit e skeleteve të fëmijëve të popullatës autoktone në varreza masive në oborret e shkollave rezidenciale, ku këta fëmijë ishin marrë me dhunë nga familjet e tyre për t’u “edukuar” me frymen e kulturës së të ardhurve të bardhë, për t’u asimiluar dhe për të harruar prejardhjen e tyre etnike.

Këta fëmijë shpesh përfunduan në varreza masive dhe për këtë ka pasë mbizotëruar heshtje e plotë tek qeveria dhe shoqëria kanadeze. Për më keq, në këtë ndërmarrje vrastare dhe kriminale ka marrë pjesë edhe Kisha Katolike. Madje, raportet zyrtare flasin se fatin e vdekjes nga pakujdesia e autoriteteve publike dhe të Kishes Katolike në Kanada e kanë përjetuar mbi 6.000 fëmijë autoktonë.

Unë jo se jam skeptik, por jam i bindur se shoqeria amerikano-veriore nuk është ndërtuar realisht mbi premisat e vlerave demokratike dhe të trajtimit të barabartë të të gjithëve. Nuk mund të anashkaloj pa përmendur grupet e margjinalizuara shoqërore, të cilat shihen ekskluzivisht vetëm si konsumatorë në tregun global dhe pagues të rregullt të taksave.

Kjo qasje e imja në Kosovë dhe Shqipëri mbase konsiderohet si heretizëm, por ky eshte realiteti që ne nuk dëshirojmë ta kuptojmë, apo thënë troç, nuk kemi guxim intelektual që ta pohojmë këtu dhe atje në vendlindje.

John Ralston Saul, intelektual i shquar kanadez, në librin e tij “The Comeback”, në mënyrë të detajuar e përshkruan gjendjen e mjerueshme të popullatës autoktone që nga koha kur evropianët pushtuan Amerikën Veriore dhe në mënyrë sistematike shkatërruan dhe asgjësuan çdo vlerë të kulturës, gjuhës, traditës dhe menyrën e jetesës së saj.

Nuk shoh ndonjë arsye që të mos i themi gjërat ashtu siç janë në shoqerinë kanadeze, sepse ne nuk kemi fare arsye të sillemi si filistinë mikroborgjezë, sepse edhe po të dëshirojmë të ndihemi si të tillë, nuk na pranon shoqëria.

©Fazli Mazreku