Farsa politike e Kryeministrit Trudeau me Guvernatoren e Përgjithshme - Nga Fazli Mazreku
- Published in Kanada
Fazli Mazreku, London-Ontario
Me propozimin e Kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau, Mbretëresha Elizabeth II, për herë të parë në historinë e Kanadasë, ka emëruar një përfaqesuese të popullatës autoktone, Zonjën Mary Simon, Guvernatore të Përgjithshme të Kanadasë.
Guvernatori i Përgjithshëm i Kanadasë është institucion kushtetues ceremonial që përfaqëson Mbretëreshën e Mbretërisë së Bashkuar, e më tepër është relike historike e lidhjes së Kanadasë me Britaninë e Madhe që kur ishte koloni britanike (më 1931 pas adoptimit të Statutit të Westminster Kanadaja bëhet vend sovran), pa asnjë funksion ekzekutiv në raport me institucionet federale, provinciale dhe të Territoreve të Kanadasë (përveç dekretimit të ligjeve, thirrjes e shpërndarjes së parlamentit si dhe rolit si komandant përgjithshëm i ushtrisë kanadeze).
Kanadaja tradicionalisht ka pasur guvernator të përgjithshëm “bilingual”, me alternim sipas radhës herë nga pjesa frankofone, here nga ajo anglofone (nga 1867 deri më 1952 ishte e detyrueshme që personi të kishte lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe të ishte pjestar i aristokracisë britanike), me mandat pesëvjeçar, mandat që mund të zgjatet me kërkesë të Kryministrit, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Po të bëhej ky emërim para një viti do të tingëllonte shume interesant dhe do të kumbonte si vlerë e demokracisë kanadeze, dhe madje liderët politikë kanadezë të nivelit federal do të tentonin të përfitonin kredite për trajtimin e barabartë dhe jo diskrimininues të popullatës autoktone. Por zbulimi i varreza të femijëve autoktonë që u morën nga prindët për t’u “edukuar” dhe “kulturuar” në shkollat rezidenciale të hapura nga qeveria kanadeze e të përkrahura nga Kisha Katolike, që nga viti 1883 deri më 1996 e dëshmon të kundërtën.
Propozimi nga Kryeministri i një autoktoneje për Guvernatore të Përgjithshme të Kanadasë në kohën kur shoqëria kanadeze po reagon dhe kundërshton përmes protestave e madje edhe me rrezimin e statujes së Mbretëreshës Victoria apo Mbretëreshës Elizabeth II, flet bindshëm se ky emërim është farsë politike që nuk do ta qetësojë popullatën autoktone dhe shoqërinë civile, që me ngulm kërkojnë ndryshime rrënjësore kushtetuese dhe ndëshkim të institucioneve përgjegjëse për këtë kapitull të errët të historisë së Kanadasë.
©Fazli Mazreku