Kanada

371 sportistë kanadezë në Lojërat Olimpike të Tokios - Ja cilët do jenë dy flamurmbajtësit

  • Published in Kanada

Siç njoftoi javën e kaluar Komiteti Olimpik Kanadez, një delegacion prej 371 sportistësh dhe 131 trajnerësh ndodhet tashmë në Japoni, ku do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios nga 23 Korrik deri më 8 Gusht, të parat në histori pa spektatorë dhe që për shkak të COVID-19 nuk u zhvilluan dot vitin e kaluar.

Kanadaja do të ketë dy flamurmbajtës në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Premten. Ata janë basketbollistja Miranda Ayim dhe lojtari i rugby-së Nathan Hirayama.

33-vjeçarja ontariane Miranda Ayim e ka pjesëmarrjen e tretë në një kompeticion të tillë. Ajo ka garuar në Londër në 2012 dhe Rio në 2016, ku Kanadaja u rendit përkatësisht e 8-ta dhe e 7-ta. Ayim ka qenë gjithashtu pjesëmarrësë në Lojërat Panamerikane të zhvilluara në vitin 2015 në Toronto, ku ekipi kanadez fitoi dhe medaljen e artë.

Ndërkohë, Nathan Hirayama është bashkëkapiten i ekipit të rugby-së me 7 lojtarë. 33-vjeçari nga British Columbia është shënuesi më i mirë në historinë e këtij sporti në Kanada dhe spikat në menyrë të veçantë si fantasist gjatë lojës. Në fund të sezonit 2020, ai u rendit i 3-ti në historinë e Serive Botërore R7 të Rugby-së.

Marnie McBean

Sipas Marnie McBean, shefe e delegacionit kanadez në Lojërat e Tokios, përzgjedhja e këtyre dy sportistëve u bazua tek lidershipi i rrallë që ata kanë demonstruar gjatë gjithë karrierës, talenti i jazhtëzakonshëm dhe gjithë investimi i tyre në shërbim të ekipeve përkatëse duke u bërë njëherazi edhe shembull frymëzimi për lojtarët më të rinj.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Foto: Getty Images/Stu Fortser dhe La Presse Canadienne/Jason Franson