Kanada

British Columbia, vazhdojnë zjarret e fuqishme -100 zjarrfikës nga Meksika në ndihmë

  • Published in Kanada

Në British Columbia mbërritën dje 100 zjarrfikës nga Meksika për të ndihmuar shuarjen e zjarreve në pyje. Ata janë pritur në Aeroportin Abbotsford nga Ministri i Sigurisë Publike të BC, Mike Farnworth që i falenderoi ata publikisht.

Për një periudhë 30 ditore, kontigjenti meksikan do t'u bashkohet në terren rreth 3300 zjarrfikësve kanadezë të vendosur atje prej disa javësh. Nga këta, 94 janë efektiva nga Alberta, Québec dhe New Brunswick ndërsa pjesa tjetër nga British Columbia. Praktika e ndihmës së ndërsjelltë ekziston prej vitesh midis provincave kanadeze, ndërsa është hera e parë që një kontigjent zjarrfikësish vjen nga jashtë Kanadasë për ndihmë këtë vit në provincën e Paqësorit.

Mike Farnworth

Ndërkohë, një grup i parë i Forcave të Armatosura Kanadeze mbërriti të Premten (23 Korrik 2021) në Vernon në mbështetje të ekipeve vendase, grup të cilit do t’i bashkohen edhe pjesa tjetër shumë shpejt, për t’u bërë gjithsej 350. Po kështu pritet edhe mbërritja e një grupi të dytë prej 100 zjarrfikësish nga Québec,

Ekipet po përpiqen të shuajnë 260 zjarre që vazhdojnë të jenë aktivë me intensitet të ndryshëm sidomos në Jug të provincës. Është njoftuar sot se numri i tyre sa vjen e po zvogëlohet, por gjithsesi flakë të fuqishme po vazhdojnë të shkretojnë rreth 40 breza pyjorë. Evakuim i plotë i banorëve është bërë deri tani nga rreth 5000 shtëpi, ndërkohë që një urdhër i tillë mund të zbatohet së shpejti edhe për një numër total prej rreth 16,000 banesash.

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Darryl Dick, Radio-Canada/Alexandre Lepoutre